Presidenti i Institutit Robert Koch (RKI), Lothar Wieler, pubikoi detaje të më shumë se 600 vdekjeve të deritashme nga koronavirusi në Gjermani. Mosha mesatare e atyre që vdiqën ishte 80 vjeç. Më i riu ishte në moshën 28 vjeç, me sëmundje të tjera të mëparshme. Gjithsej 31 prej të vdekurve janë nën moshën 60 vjeç. Shumica e atyre që vdiqën si rezultat i Covid-19 në Gjermani janë më të mëdhenj se 70 vjeç.
Sipas RKI, përqindja e vdekjeve midis rasteve të konfirmuara në Gjermani është nën një përqind. Sidoqoftë, Wieler mendon se kjo do të rritet në planin afatmesëm. Wieler foli për "optimizëm të justifikuar" në lidhje me ngadalësimin e rritjes së numrit të infektimeve. Ai tha se beson se për Pashkë do të ketë në dorë "shifra konkrete", mbi të cilat mund të përcaktohet tendenca e sëmundjes.
Pandemia, tha ai, vazhdon dhe ka shumë të ngjarë të vazhdojë me muaj. Ai i bëri thirrje popullatës që të vazhdojë të ndjekë masat që përcakton politika. Sipas tij, Gjermania është e pozicionuar mirë për të luftuar virusin, po të dobësohet kurba e rritjes. Asnjë vend tjetër nuk ka më shumë aparate frymëmarrjeje për 100.000 banorë.
Ministri Federal i Shëndetësisë Jens Spahn pret një rritje të rasteve të rënda me Corona në Gjermani. "Kemi numër në rritje të infeksioneve çdo ditë. Por klinikat po përgatiten për këtë. 45 përqind e shtretërve të kujdesit intensiv në Gjermani janë liruar. "Një gjë është gjithashtu e qartë: Do të ketë gjithashtu një numër në rritje të pacientëve për kujdes intensiv dhe frymëmarrje brenda ditëve të ardhshme."/ DW