Covid-19 ‘ngrin’ rekrutimet në administratë, rregullat për dorëzimin dhe pranimin e dokumenteve

24 Mars 2020, 13:47| Përditesimi: 24 Mars 2020, 13:49

  • Share

Në kuadër të planit të masave organizative dhe administrative për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 janë pezulluar deri në 3 prill rekrutimet në administratën publike. Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, ka urdhëruar ndërprerjen e gjitha procedurave të rekrutimit në institucionet shtetërore. Në një urdhër të datës 11 mars, lejohej vetëm zhvillimi i procedurave me numër 2601-2920, për rekrutimin në pozicionet e kategorisë ekzekutuese, por vetëm përmes përdorimit të mjeteve të teknologjisë së informacionit. Por, me anë të një urdhri të dytë, edhe kjo procedurë është pezulluar, për shkak të kufizimit të veprimtarisë së institucioneve shtetërore.

Ndërkaq, në urdhrin e parë theksohet se dokumentet e dërguara në DAP nga institucionet e tjera të administratës publike apo nga individë, pranohen vetëm përmes shërbimit postat. Punonjësi që pranon dokumentet që vijnë nga posta duhet të jetë i pajisur me mjete mbrojtëse, me doreza dhe maska. Qarkullimi i shkresave do të ndjekë rrugën e zakonshme, por do të bëhet vetëm përmes e-mailit, pasi dokumentet të jenë skanuar nga punonjësit e protokollit. Përpos kufizimit të orarit të punës deri në orën 13:00 me urdhër të kryeministrit Edi Rama, institucionet publike kanë reduktuar edhe stafet.

Të gjithë punonjësit, të cilët nuk kanë në përgjegjësi ofrimin e shërbimeve të pashmangshme ndaj publikut dhe për të cilët nuk është e nevojshme prania e tyre në institucione, po punojnë në distancë nga shtëpia. Gjatë këtyre ditëve, institucionet publike kanë hartuar listat me punonjësit e domosdoshëm që duhet të paraqiten fizikisht në punë, sipas një kalendari të përcaktuar, me qëllim për të reduktuar sa të jetë e munduar numrin e personave në zyrat e shtetit në të njëjtin orar. Gjithashtu, janë hartuar listat me punonjësit që punojnë në distancë.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?