COVID-19 përhapet në shkolla, universitet, gjykata e njësi vendore! Preken mësues e nxënës, infermierë, policë gjyqësor e punonjëse në fasoneri

21 Shtator 2020, 15:15| Përditesimi: 21 Shtator 2020, 16:38

  • Share

COVID-19 po përhapet në shkolla dhe universitete. Mësues dhe nxënës rezultojnë të prekur në Bulqizë, Berat dhe Kuçovë, por mësimi është pezulluar vetëm në klasa të caktuara.

Sakaq pozitivë me COVID-19 kanë rezultuar dhe tre pedagogë të universitetit të Vlorës.

Ora 15:34
Koronavirusi në gjykatën e Elbasanit, një punonjëse dhe një oficer i policisë gjyqësore

Koronavirusi ka prekur dhe Gjykatën e Elbasanit.

Këtë të hënë (21 shtator) janë regjistruar dy raste të reja, një punonjëse dhe një oficer i policisë gjyqësore.

Ata aktualisht janë vetëkarantinuar në banesat e tyre.

Ora 14:02
Infektohet me COVID19 një nxënëse në Gjirokastër, karantinohen 23 bashkëmoshatarët e klasës

Një nxënëse e klasës së 11-të në gjimnazin "Siri Shapllo" në Gjirokastër, ka rezultuar pozitive me koronavirus.

Për rrjedhojë, 23 nxënësit e tjerë të klasës kanë bërë tamponin sot në mëngjes. Akoma nuk dihet se ku e ka marrë virusin nxënësja e kësaj shkolle. Njoftohet se kjo klasë nuk do të zhvillojë mësim për 14 ditë.

Ora 12:27
Nxënësi me COVID, pezullohet mësimi për klasën e 11-të në shkollës në Berat!

BERAT- Një nxënës i klasës së 11 të gjimnazit  "Ajet Xhindole" ka rezultuar pozitiv me COVID-19, për pasojë është pezulluar mësimi në shkollë vetëm për këtë klasë.

Të gjithë nxënësit e kësaj klase si dhe 4 mësues janë karantinuar. Ata kanë bërë tamponin dhe presin përgjigje. Aktualisht mësimi për ta zhvillohet online. Pjesa tjetër e shkollës vijon mësimi normalisht. Ndërsa në shkollën e fshatit Mbrakull kanë rezultuar 4 mësues pozitiv.

Mes rasteve të konfirmuara është edhe një polic.

Ora 11:11
3 të prekur me COVID19 në Universitetin e Vlorës, mbyllen tre zyra në godinën e Rektoratit

VLORË-  Koronavirusi mbyll tri zyra në godinën e Rektoratit të universitetit Ismail Qemali të Vlorës. Siç mësohet është mbyllur zyra e sektorit të auditit, zyra e seksionit të promovimit akademik dhe kërkimit shkencor si dhe zyra e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.

Lajmi konfirmohet edhe nga vetë rektorati, për mbylljen e zyrave pas infektimit me koronavirus të tre personave në këtë universitet.  Ndërkohë që 10 persona të tjerë janë karantinuar deri në mbërritjen e përgjigjes së tamponit. Priten përgjigjet për personat e tjerë që kanë qenë në kontakt me të infektuarit.

Mësohet se është kryer dezinfektimi në të tri godinat universitare, ndërsa aktualisht në të gjitha degët e 4 fakulteteve të Ismail Qemalit po kryhen konsultimet dhe leksionet për çështjet e trajtuara në mësimin akademik online. Në fillim të tetorit pritet të zhvillohen provimet e sezonit të vjeshtës, ndërsa regjistrimet e maturantëve për programet e studimit në këtë universitet publik janë në fazën e dytë të tyre. Mësimi po bëhet online dhe ambientet po dezinfektohen. 

Ora 10:45
Pogradec/ Infektohen me koronavirus 3 punonjëse fasonerie, 2 infermiere dhe 1 nxënës

Tre punonjëse të një fasonerie në Pogradec kanë rezultuar pozitive me koronavirus. Gjithashtu janë infektuar edhe dy infermiere të cilat punojnë në qendrat shëndetësore në fshatrat e Pogradecit, si dhe një nxënës në një nga shkollat e qytetit.

Mësohet se fasoneria me 110 punonjës është mbyllur dhe dezinfektuar, ndërkohë që janë dezinfektuar edhe ambientet e qendrave shëndetësore.  

Nxënësi i infektuar është kontakt i një prej punonjësve të fasonerive dhe ai nuk është paraqitur asnjë ditë në shkollë. Infermieret dhe punonjëset e fasonerisë janë gra të moshave 30-50 vjeç.

Ora 10:08
Institucionet publike në Kuçovë preken nga COVID19, infektohet një edukatore dhe fëmija e saj 5-vjeçe, si dhe punonjësja e fasonerisë

Institucionet publike në Kuçovë janë prekur nga pandemia e koronavirusit. Disa ditë më parë u konfirmuan 6 raste pozitive me Covid19, të cilët rezultuan se ishin pensionistë.

Sipas informacioneve, një edukatore në një kopsht në Kuçovë dhe fëmija e saj 5 vjeçe, që është e regjistruar në të njëjtin kopsht, janë prekur nga virusi Covid19.

Edukatorja ka qenë aktive në punë, deri në momentin që ka shfaqur shenjat e virusit dhe pas kryerjes së tamponit ka rezultuar me koronavirus.  

Edukatorja është karantinuar së bashku me familjen e saj, ndërkohë që janë karantinuar edhe 12 fëmijët e grupit ku ajo punonte, të cilët do ti nënshtrohen testimit.

Gjithashtu edhe një punonjëse fasonerie në qytetin e Kuçovës ka rezultuar e prekur me koronavirus. Ajo është shkëputur nga puna vetëm në ditën që ka bërë tamponin, duke alarmuar kolegët e saj dhe punonjëset e repartit ku ajo punonte.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Higjenës bëjnë me dije se është kryer dezinfektimi i kopshtit dhe fasonerisë në Kuçovë, si dhe janë mbyllur dy reparte të fasonerisë dhe grupi i fëmijëve ku punonte edukatorja e infektuar.

Ora 09:13
Dy punonjës me COVID-19, mbyllen zyrat e Njësisë Administrative Bubullimë

LUSHNJE- Koronavirusi është "futur" edhe në njësinë administrative Bubullimë në qytetin e Lushnjes.

Report Tv mëson se dy punonjës kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, e për pasojë janë mbyllur zyrtar e këtij institucioni.

Pjesa tjetër e punonjësve iu është nënshtruar tamponit, teksa nuk ka ende një informacion zyrtar se për sa kohë do të qëndrojnë zyrat të mbyllura.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?