COVID-19/ Polica kontrolle në gjithë vendin, në Fier radhë të gjata e grumbullime në banka

15 Prill 2020, 10:46| Përditesimi: 15 Prill 2020, 15:27

  • Share

Kontrollet e shtuara të policisë lidhur me njerëzit që lëvizin për pazare apo punë por dhe mjetet që qarkullojnë kanë bërë që ndërgjegjësimi për respektimin e masave të jetë më i lartë.

Në Fushë-Krujë dhe Lushnje është vënë re një përmirësim i ndjeshëm i masave nga njerëzit duke respektuar radhën dhe distancimin social, ndërsa në Fier vihet re krejt e kundërta ku radhët në banka janë të shumta, njerëzit rrinë të grumbulluar dhe nuk ruajnë distancën.

Ora 14:34
Romët në Elbasan protestë te bashkia: Duam ushqime, tani as dyqanet s'na japin më me listë (VIDEO)

Në Elbasan sot disa rom kanë protestuar para zyrave të postës dhe bashkisë për mungesën e ndihmave, pasi sipas tyre ata nuk kanë ushqime të hanë. Sipas romëve mbyllja në shtëpi si masë mbrojtëse për koronavirusin ka krijuar probleme për mbijetesën.

Edhe pse është e ndaluar për të protestiuar, në 'rezistencën' e tyre romët nuk kanë respektuar masat e sigurisë, duke qëndruar pranë njëri-tjetrit. Ata kërkojnë shpjegim se përse sorollaten pa arsye, ndërsa shtojnë se ndihma e vetme e marrë nga bashkia ka qenë një pako modeste. Sipas tyre nuk ata nuk kanë me se të mbajnë frymën.

Një qytetare shprehet: 'Ne jemi të harruar, nuk na kanë ndihmuar fare.' Ndërkohë një tjetër shton: "Unë paguaj ujin, dritat, tani nuk kemi asnjë të ardhur, as asistencë e as asgjë. Ne jemi të izoluar ku të shkojmë, të na japin ndihma me ushqime bashkia e Elbasani. Kryetari thotë do ndajmë ndihma dhe nuk na sjell asgje." Sakaq një tjetër nga komuniteti rom shton: "Unë kam rreth 600 mijë lekë borxhe, tani as dyqantet nuk na japin me listë."

Teksa iu drejtuan për sqarim bashkisë së Elbasanit, nënkryetari Ervis Saraci, sqaroi se ngërçi ka ardhur nga dega e thesarit, ndërsa siguroi se shtesa do u kalojë brenda ditës së sotme. Disa herë komuniteti rom dhe egjyptian ka protestuar në Elbasan për mungesë ushqimesh në keto ditë izolimi. Mbyllja e tregjeve e ka vënë në vështirësi ekzistencën e tyre.

Ora 12:09
'Të respektojnë rregullat, ndryshe e mbyllim!' Tregu i Kukësit me tunel dezinfektues, Gjici vartësve: Asnjë përjashtim, mos të kemi fjalë (VIDEO)

Në Bashkinë e Kukësit janë marrë masa shtesë në tregun agroushqimor pasi që nga dje ky qark është futur në hartën e të prekurve. Për këtë arsye në hyrje të tregut bashkia ka vendosur një tunel dezinfektuar ashtu siç veprohet edhe në tregun e Kombinatit në Tiranë.

Për këtë kryetari i bashkisë së Kukësit Safet Gjici u shpreh: "Të gjithë do kalojnë këtu, të gjithë, duke mbajt distancën. Kjo gjë nuk është vetëm për sot, por deri sa të mbarojë lufta. Ai që nuk bindet policia e shtetit është aty. Edhe brenda do ndjekjen me polic, për ta parë a mbajnë distancën apo jo. Nuk do të tolerohet asnjë. Do të mbajmë një rregull të paparë, ndryshe do mbyllim tregun. "

Më pas Gjici inspektoi pjesë tjetër të tregut ku u kërkoi vartëse: "Të respektohen të gjithë rregullat. Çdo tregtar që sjell makinën këtu t'i respektojë të gjitha rregullat, mos të kemi fjalë".

Ora 10:17
Fushë-Krujë, kontrollet e policisë bindin qytetarët të respektojnë masat (VIDEO)

Një ditë më parë Fushë-Kruja kishte grumbullime dhe mosrespektimin të masave COVID-19 për lëvizjen, ku nuk munguan gjobat nga policia. Kjo ka bërë që ditën e sotme qytetarët të kuptojnë rëndësinë e masave dhe më të ndërgjegjësuar. Ditën e sotme lëvizjet janë të pakta dhe vetëm për pazare apo shkuar në punë.

Kontrollet e policisë janë shtuar ndjeshëm dhe prania e tyre vihet re thuajse në çdo aks rrugor.

Forca të shumta policie të komisariatit të Krujës madje dhe forca të FNSH Tiranë po patrullojnë nëpër rrugët e qytetit për të ndaluar të pabindurit.

Çdo automjet madje dhe këmbësor po i nënshtrohet kontrollit për leje lëvizje nga ana e policisë. 

Ora 10:05
Grumbullime shqetësuese të qytetarëve në banka në Fier! Tensionohet situata, debate për radhët (VIDEO)

Zgjatja e orarit që mban hapur bankat duket se nuk e ka zgjidhur përfundimisht radhën e madhe që njerëzit mbajnë para tyre. Kjo vihet re në disa qytete, por sidomos në Fier, aty ku mund të thuhet se situata është alarmante.

Shumë qytetarë ndodhen para dyerve të bankave, por ajo që është më shqetësuese është se nuk respektohet distanca dhe nuk ka masa të tjera të sigurie. Për të normalizuar situatën ka ndërhyrë policia, por duke qenë se janë shumë qytetarë sërish vihen re parregullsi.

Gjatë orëve të pritjes ka pasur tensionim dhe debate mes qytetarëve për radhët por dhe me efektivët e policisë të vendosur para bankave, për situatën e krijuar.

Ora 09:41
Lushnja respekton distancimin social dhe radhën në tregje (VIDEO)

Qytetarët e Lushnjes janë të ndërgjegjësuar në lidhje me masat e vendosur kundër COVID-19 duke respektuar distancimin social dhe radhën në tregje. Qytetarët që lëvizin në rrugë për pazaret apo shërbime të tjera të domosdoshme në markete, furra buke, banka dhe tregje duke respektuar distancimin social. Gjithashtu në tregjet e fruta-perimeve ndodhet dhe policia e ushtria që monitorojnë situatën për ruajtjen e distancës dhe masave të tjera.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?