COVID-19 prek edhe Kadastrën! Kërkesë Kuvendit: Të shtyhet afati i përfundimit të rivlerësimit të pronave, këto dy muaj nuk është punuar

6 Maj 2020, 09:37| Përditesimi: 6 Maj 2020, 12:20

  • Share

TIRANË- Kadastra Shqiptare ka bërë kërkesë pranë Kuvendit për të shtyrë afatin për Rivlerësimin e pronave. Burime nga Kadastra pohojnë për Report Tv se kërkesa është bërë pak ditë më parë pasi gjatë këtyre dy muajve procesi i rivlerësimit thuajse nuk ka funksionuar për shkak se shumë aktivitete u mbyllën, qarkullimi u mbyll, po ashtu edhe sportelet e administratës pjesërisht u mbyllën për të mos lejuar përhapjen e COVID-19.

Ky rivlerësim është parashikuar të zgjasë deri më 30 shtator të këtij viti dhe mendohet të sjellë në buxhet rreth 6 miliardë lekë, në vitin 2020.

Bllokimi i qarkullimit po ashtu ka vështirësuar edhe mundësinë që kishin qytetarët për të mbledhur dokumentacionin e nevojshëm, për të kryer këtë proces.

Përgjatë muajve shkurt dhe mars ishte parashikuar të kryhej procesi i rivlerësimit për ata qytetarë që kishin proceduar emergjente si vendosja e pronës në bankë si kolateral apo me qëllim shitjen e pronës së tyre.

Po të njëjtat burime thonë se nuk ka një afat të përcaktuar se për sa kohë duhet të shtyhet ky proces. Kjo mundësi u ofrohet të paktën 50 mijë banesave. Ata që do të bëjnë rivlerësimin do të paguajnë tatimin në vlerën e 3% të diferencës mes çmimit me të cilin është blerë një apartament apo një pronë tjetër e paluajtshme dhe atij me të cilin do ta shesin atë, nga 15% që është normalisht.

Ndërsa personat juridikë, për këtë rivlerësim, do të paguajnë 5 për qind të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme, gjithnjë 3 herë më pak se tatimi aktual.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?