TIRANË- Paketa ekonomike e prezantuar nga qeveria, ku u ndryshua edhe buxheti i vitit 2020 ku u alokuan 12 miliardë lekë për të përballuar emergjencën e parë të krijuar nga COVID-19, në vendin tonë, për ekspertët është më shumë paketë sociale. Në një lidhje telefonike për Report TV, eksperti i ekonomisë Adrian Civici u shpreh se vlera prej 65 milionë dollarësh e vënë në dispozicion të biznesit të vogël është vetëm efektive në plan afatshkurtër. Sipas tij shumë shpejt mund të kalojmë në plane të tjera për masa vërtet me karakter ekonomik.
“Kjo paketë në kuadrin e ndihmës së parë, dhe pjesa prej 65 milionë dollarësh porsa i përket biznesit të vogël dhe të vetë-punësuarve, është vetëm një oksigjen për një periudhë afatshkurtër, por besoj shumë shpejt do të vijë koha për planin B dhe C, ku të shtohen edhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë mbështetjen e biznesit që do të thotë të shikohet mundësia për reduktimin e disa lloj taksash, e disa lloj detyrimesh, të shikohet mundësia e investimeve ose e përdorimit të një pjese tjetër të buxhetit për mbështetjen e ekonomisë dhe biznesit pra jo vetëm një paketë sociale”, deklaron eksperti.
Por nga kjo mbështetje financiare ka një kategori që rrezikon të mos përfitojë, dhe janë të punësuarit e padeklaruar ose informal.
“Një pjesë e tyre fatkeqësisht janë në sektorin informal dhe është shumë më e vështirë për ti identifikuar, kështu që unë e shikoj më tepër si një paketë sociale të mbështetjes së konsumit sesa element të mirëfilltë të ndihmës ekonomike të biznesit”, thotë ai.
Ndër të tjera Civici shton se ekonomia jonë është në gjendje të rezistojë dhe të mos lejojë një recesion ekonomik, teksa shton se duhet ta përballojmë të vetëm situatën pasi s’do kemi ndihmë nga ndërkombëtarët.
“Nuk besoj se do ketë një mbështetje si të tërmetit, se janë prekur të gjitha vendet. Mund të funksionojë një lloj solidariteti ndërkombëtar sa i përket mallrave për shërbimin sanitar dhe mjekësor, por jo për një ndihmë lidhur me paketën ekonomike. Ekonomia jonë, sado e vogël fjala çelës është rezistencë, për të mos shkuar në recesion. Kostot janë të padiskutueshme. Lufta s’ka vetëm viktima njerëzore, por edhe shumë dëme ekonomike”, shpjegon eksperti.
Ndërkohë nga ana tjetër eksperti shtoi se nuk ka vend për panik sa i takon ushqimeve pasi nuk rrezikohemi nga një krizë ushqimore.
“Ne nuk jemi totalisht të bllokuar, po normalisht sidomos sektori i turizmit dhe shërbimeve është i paralelizuar. Nëse Shqipëria ka një GDP 13.5 miliardë euro në vit. Në një muaj ne prodhojmë 1.1 miliardë euro, nëse bllokohet gjysma kuptohet, çfarë humbje ka. Nuk është momenti për një krizë ushqimore, se ka rezerva të mjaftueshme dhe nuk besoj që edhe në javët në vijim do ketë probleme. Tek ne mund të jetë problem te mungesa e kërkesës, pasi ka familje që nuk marrin rrogën të blenë në tregje. Deri në mes të prillit, import-eksport do jenë të bllokuara, por pastaj do ketë një lloj rigjallërimi për produktet bazë të konsumit. Ndoshta 1-2 muaj në vazhdim nuk ka problem krizë e ushqimeve”, përgjigjet ai.
Meqë shumë familje nuk kanë të ardhura për të përballuar jetesën, eksperti shton se duhet ndjekur shembulli i disa shteteve që kanë shpërndarë çeqe për familjet në nevojë.
“Një version i përdorur në Amerikë, shpërndarjen e disa çeqeve apo bonuse financiare për familjet në nevojë që mund të përdoren në treg, ose të forcohen sistemet e shpërndarjes së organizuar në formën e ushqimeve siç kanë filluar. Varet nga mënyra si do zgjidhet, nëse bëhet kjo do jetë një lloj racionimi ushqimor. Ose mund të jepet një cek për të ruajtur kërkesën", shton ndër të tjera Civici, teksa thekson se personalisht mendon se më e rëndësishme është shpëtimi i jetëve sesa ekonomia.
Po pra ky civici i di te gjitha.per cdo gje merni kete ne interviste. Brockulla. Ky dhe dora e tij e kane bere ekonomine e ketij vendi si ka dashur politika vetem per te qene ne poste dhe borde. Keta jane asgje..llafe boshe . Po servila po. Mendime me te sakta dhe bashkohore japin profesoret e rinj. Ky ka mbaruar me kohe.
Përgjigju