Për më shumë se një muaj pandemia COVID-19, na ka bërë të ndryshojmë dhe në shumë aspekte të kufizojmë mënyrën tonë të jetesës. Por, Si ka ndikuar e gjitha kjo tek ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në aspektin personal, por edhe si ministre e sektorit të kulturës. Në një intervistë për “ReportTV” Margariti flet edhe për institucionet e kulturës, të cilat janë kyçur prej afro 7 javësh, për parandalimin e virusit Korona.
“Në aspektin personal ka pasur ngjashmëri me të gjithë. Pasi kemi përjetuar një kufizim të jetës së përditshme. Lidhur me detyrën time, deri diku ka pasur edhe një aspekt pozitiv, se kam qëndruar shumë më afër familjes, që s’kishte pas mundësi të më shikonte për shumë kohë”, tregon ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Humbjet, që ka shkaktuar pandemia në kulturë janë të mëdha, rreth 27 mln lekë në trashëgiminë matëriale edhe jo matëriale, megjithatë, Margariti ndalet tek propozimet konkrete që është duke bërë gradualisht, që arti të dalë nga kjo situatë.
“Bashkë me këshillin strategjik kemi fol për disa reforma, mbështetja e industrisë krijuese do të ishte një nga këto aspekte, që duhet ta ndërmarrim sa më shpejt. Në aspektin e trashëgimisë kulturore, kemi fol për mbështetjen e një sërë projektesh restaurimi. Më tepër në fokusin e rrjetëzimit do të shikojmë ato paketa që do të sjellin benefite ekonomike. Projektet me thirrje do të jenë ato që do të luajnë disbalancën”, thotë Elva Margariti.
Projektet fituese për vitin 2020, por edhe projektet e pezulluara nga institucionet e tjera të kulturës do të rikonsiderohen sipas udhëzimeve, që jep edhe Ministria e Shëndetësisë, ndërsa muzetë edhe parqet arkeologjike gradualisht do të shkojnë të parat drejt hapjes.
“Situata është shumë dinamike. Duhet të ecim me këtë dinamizëm, edhe çdo përgjigje të jetë ndoshta jo shumë afatgjatë. Muzetë edhe parqet arkeologjike i shikojmë më probabël drejt një hapje graduale, veçmas me fillimin e sezonit turistik, do të jenë në fokus”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Ministrja e Kulturës përfundon, se po bashkëpunojnë me artistët e pavarur për një database të saktë dhe një platformë.