Shteti me popullsinë më të madhe në Australi u ka bërë thirrje të rinjve që të testohen për koronavirus, teksa vendi po përgatitet që të lehtësojë edhe më tej masat e izolimit, duke hapur restorantet dhe kafeteritë.
Shteti australian Nju Sauth Uells – ku përfshihet edhe qyteti i Sidnejt – është vendi që ka pothuajse gjysmën e numri të përgjithshëm të rasteve me koronavirus në Australi. Ky vend po planifikon që nga 1 qershori të rihapë restorantet.
Ekspertët shëndetësorë kanë kërkuar nga qytetarët që edhe pas lehtësimit të masave të vazhdojnë të mbajnë distancë dhe argumentojnë se rritja e testimit të të rinjve do të parandalonte një “valë të dytë” të infektimeve.
“Teksa ne do të vazhdojmë me lehtësimin e masave, është absolutisht thelbësore që njerëzit të vijnë e të testohen nëse ata kanë dyshimin më të vogël se mund të jenë infektuar apo nëse kanë probleme respiratore”, tha ministri i Shëndetësisë, Brad Hazzard.
“Duke hequr masat, posaçërisht në klubet e natës dhe hotelet, ne duhet të dërgojmë një mesazh të fuqishëm... se këta të rinj që mendojnë se janë të pamposhtur (nga koronavirusi), në të vërtetë nuk janë të tillë”, shtoi ai.
Në Australi deri më tani janë raportuar për 7,100 raste ku në Nju Sauth Uells janë 3,086 prej tyre.
Numri i ulët i rasteve dhe i vdekjeve në Australi nga sëmundja COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi, kryesisht i atribuohet mbylljes së kufijve shtetëror dhe urdhrit që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.