Arben Bajo

COVID-i shuan skulptorin Arben Bajo, miqtë: Vetëm trishtim! Krijove mrekullira, arti në çdo çast e moment ka qenë Parajsa jote

9 Gusht 2020, 12:55| Përditesimi: 9 Gusht 2020, 13:05

  • Share

Skulptori Arben Bajo mbylli sytë përgjithmonë ditën e sotme në moshën 53-vjeçare, pas luftës prej ditësh me COVID-in e padukshëm që po bën kërdinë në të gjithë botën. Reagime të shumta kanë ardhur nga politikanë e artistë shqiptarë duke shprehur ngushëllime për artistin shqiptar. Ndër miqtë e tij si Rita Petro, Ardian Isufi, Petrit Malaj, Renato Kullolli dhe Alem Toska shprehin gjithë admirimin e respektin për të përmes disa postimeve në rrjetet sociale.

Shkrimtarja Rita Petro shprehet se kafeja e mëngjesit ishte shumë e hidhur nga ky lajm i trishtë, pasi sipas saj ishte nga ata artistë që qëndroi në kohëra absurde e krijoi  mrekullira me forma harresash.

"Ike kur askush nuk e priste Shumë...shumë e hidhur kafeja e mëngjesit nga ky lajm i trishtë. Arben Bajo ... ti ishe nga ata artistë që qëndrove në kohëra absurde...krijove mrekullira me forma harresash, dhimbjesh, vetmish, ulërimash të heshtura, dhe ike në një situatë "absurdi" ... ike kur askush nuk e priste... në takimin te ekspozita e fundit folëm aq gjatë për punët e tua të mbaruara dhe lamë të pinim kafen në studion tënde për të parë edhe skulpturat e pambaruara, që sot s'kanë sy të qajnë për ty e gojë për të folur...", shkruan Rita Petro.

Artisti Ardian Isufi shprehet me dhimbje se arti për Bajon në çdo çast e moment ka qenë Parajsa shpirtërore.

"Dhimbja për ty nuk ka fjalë... Mik: Dhimbja për ty nuk ka fjalë... Vetëm Trishtim! Pedagog dhe Artist: Parajsa qoftë për ty si udhëtim i fundit... sepse për ty, Arti në çdo çast e moment ka qenë Parajsa jote shpirtërore!", shkruan ai.

Aktori Petrit Malaj shkruan se është një trishtim i madh ky lajm dhe se vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Ai e përshkruan Bajon një  djalë të shkëlqyer dhe profesionist të rrallë.

"Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Trishtim i madh.....Humbja e kolegut dhe mikut tim Arben Bajo, ishte e papritur dhe shumë e trishtë. Ishte i ri...Ende nuk mund ta besoj. Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Ai talentin e ka përcjellë tek studentet dhe e ndeshim në veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Beni ishte një djalë i shkëlqyer dhe profesionist i rrallë, ndaj ndihem krenar që pata një koleg, një mik dhe bashkëpunëtor të tillë në Universitetin e Arteve! Ngushëllimet më të sinqerta familjes! U prehsh në paqe i dashur Beni!", tha Malaj.

Artisti Renato Kullolli, më parë student i artistit prej 5 vitesh  shprehet se ka qenë një leksion shumë i vyer për të duke u ndjerë krenar që e ka njohur.

"Keni qenë leksion jetë për mua. Me dhimbje mësova sot për humbjen e një prej artistëve dhe ikonave të artit. Edhe pse iu dorëzua vdekjes në moshe shumë të re, ai ishte dhe do mbetet një frymëzim për brezat që mësoi gjithashtu dhe për mua në veçanti. Ju profesor Beni jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që patën fatin të të njohin, konsiderohesh si një mik dhe thesar për më tepër. Ju profesor Beni jeni kthyer në leksion jetë për mua duke më ndihmuar në çdo hap të vështirë në rrugën e artit. Ndihem vërtet krenar që pata fatin të jem studenti yt për 5 vite me radhë dhe ndoqa me detaje proceset e të berit art. Nga ju mësova të ndihem i pavarur në realizimin e veprave të mia. Do ngelesh përjetë në zemrën time! Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtoret e t’u, profesor Arben Bajo!", shkruan Kullolli.

Skulptori Alem Toska përmes një postimi shkruan se sot ka shumë dhimbje pasi humbëm një njeri me vizion për të bukurën dhe jetën. Ai kujton momentet e bukura me profesorin, studion me muzikë, duart me allçi dhe batutat me të.

"Humbëm një njeri me vizion për të bukurën dhe jetën Sot ka shume dhimbje, shumë fjalë, e shumë dëshirë për të kthyer pas qoftë sa për ta përshëndetur mikun dhe profesorin tim Arben Bajo. E kam të pamundur të shpreh në fjalë dhimbjen time, por mundem të tregoj mirënjohjen time të thellë për profesor Arbenin si udhëheqësin tim në art, e padyshim dhe në jetë. Nëse i mbyll sytë tani, e kam të thjeshtë të shfaqem tek e njëjta studio me muzikë, në duart me allçi, dhe me batutat e profesorit të cilat ende më shoqërojnë në kujtime. Në katër vite, kjo rutinë ka qenë një ambient paqeje për të dy ne, sepse dashuria për artin nuk e llogariste lodhjen. Shqipëria humbi sot një artist të madh, unë humba një mentor të shkëlqyer, një njeri me vizion për të bukurën dhe jetën, të cilën përpiqej ta transmetonte tek mua dhe tek të gjithë. Të pushoftë shpirti në paqe profesor!", shkruan ai.

Ora 13:40
Vdekja e skulptorit/ Leka mes lotëve për Report Tv: Deri dje COVID për mua ishte numër, sot emër! Hoxha: Jemi të shokuar

Me lot në sytë që disa herë ia bënin të pamundur që të fliste për mikun e tij që sot nuk është më, Gazment Leka ka rrëfyer momentin e trishtë se si e mori lajmin për ndarjen nga jeta të skulptorit, Arben Bejo dhe çfarë përfaqësonte ai në sytë e tij! Një shok psikologjik, e quan Leka në prononcimin e dhënë për Report Tv, që në disa momente ishte e vështirë për t'u pranuar vdekja e tij. Ai thotë se deri dje COVID-i për të ishte vetëm një numër, sot me vdekjen e Bejos, është një emër.

"Sot është një ditë e zezë, kjo periudhë më dukej shumë e errët, por sot ishte zemra e natës! Ndonjëherë yjet shkëlqejnë më shumë, dhe kur një yll këputet e lë yllin shumë të gjatë, dhe Beni ka lënë krijmtarinë e tij, humorin, buzëqeshjen. Kur do të shoh numrat e atyre që kanë humbur jetën, do shoh që mes atyre fshihet dhe emri i Ben Bajos. Unë deri dje e kisha numër, sot e kam një emër konkret.

E dëgjuam që kishte hyrë në intubim, e dinim që kush futet në intubim është në gjendje të rëndë komunikonin me e-maile. Çdo natë e kam parë në ëndërr, sot kam fjetur shumë i qetë, kur më erdhi mesazhi "Beni iku", dhe mendova se kishte ikur në Turqi, se di bënte plazmën, imagjinoni çfarë shoku kam pësuar unë. Beni iku, por po ta dinte se sa e ka dashur shokët, do gëzohej shumë. Kanë bërë të pamundur për ta ndihmuar, për të gjetur njeriun që kishte gjakun e Benit, për të bërë transfuzionin, për të gjetur charterin, dhe pasi iku kam marrë dhjetëra mesazhe, të frymëzonte, të jepte kurajo. Dhe kur kishe probleme, të ndihmonte në mënyrë sportive. Një skulptor i jashtëzakonshëm, sot nuk ka ikur një skulptor, por skulptori. I them mjeshtër, një artist i përmasave të gjëra. Rrallë herë kam takuar njerëz si ai. Më vjen shumë keq që jeta e tij u pre në mes, se 53-vjeç është shumë i ri, vdekja është një gabim shumë i madh, nuk duhet të ndodh te njerëzit. Kur kam filluar punën në Akademinë e Arteve, ka qenë student, dhe dallohej. Pastaj ai shkoi në Greqi, dhe tërë kohës tentoja që ta ktheja në Shqipëri, se arti i tij mund të tulatej atje dhe kur u kthye pati një shpërthim, bëri shumë ekspozita", rrëfen Leka në lidhjen "live" me Skype në Report Tv.

Leka ka zbuluar edhe punën e tij të fundit, që sot më shumë se kurrë merr më shumë kuptim titulli që kishte planifikuar t'i vendoste, "Kopshti i engjëjve".  

"Do bënte ekspozitën "Kopshti i engjëjve", por iu pre në mes. U bënë gati 10 vjet dhe nuk arriti ta bënte, ndoshta tani do shkojë t'i takojë engjëjt nëse ekzistojnë. Beni ka qenë në vëmendjen e ministrisë së Kulturës, që e vlerësonin krijimtarinë e tij dhe aty hynin të gjitha", përfundon Leka.

Nga ana tjetër, studiuesi i artit Ermir Hoxha, e ka më të vështirë për të gjetur fjalët për ndarjen e mikut të tij nga jeta, duke thënë se është një dhimbje e madhe, por një fat që ka pasur mundësi të punojë me të.

"Jemi shumë të shokuar, sa nuk di të gjej fjalët. Di që kemi humbur mikun dhe kolegun, e falenderojmë Zotin që e kemi pasur kaq afër. Di që skulptura humbi peshën më të madhe të tij, kemi ditë që jetojmë me këtë agoni dhe sot morëm këtë lajm të trishtë. Me zërin e tij do jemi përditë, me imazhin e tij do jemi të rrethuar kudo, në kafe, në studio. Dhimbja sot ka qenë shumë e madhe", përfundon Hoxha për Report Tv.

Komento

Komente

  • Veli Stafa: 10/08/2020 09:18

    Me vjen keq qe sot me rastin e largimit te tij, po e degjoj per here te pare kete emer skulptori kaq te talentuar. Po me duket sikur me qene Paskali,Janaq Paco apo Rodin i Shqiperise vazhdues i denje i skulptoreve brilante si Kol Shala me shoke...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?