COVID-i tkurr turizmin por jo çmimet, operatorët turistikë: Korrik-Gusht përmirësim minimal

18 Gusht 2020, 14:20| Përditesimi: 18 Gusht 2020, 14:34

  • Share

Të ardhurat nga turizmi për këtë vit nuk do të kapërcejnë vlerën prej 500 milionë eurosh. Edhe pse vendi ynë i ka hapur kufijtë dhe nuk po aplikon masa të rrepta për të hyrë në tokën tonë përsëri numri i turistëve nuk krahasohet sipas ekspertëve me 10 vitet e fundit. Në një situatë të tillë sipas Ferjolt Ozunit operator turistik as miratimi i kuponit për shtetasit shqiptar nuk do të jepte zgjidhje.

“Për këtë vit jemi vonë. Tashmë ky vit është i djegur ndoshta ky është momenti që qeveria duhet të mendojë se si ti përqendrojë të ardhurat financiare të turistëve shqiptar brenda vendit shqiptar. Unë mund të them që ne nuk mund të kapim as 25% të të ardhurave të vitit të kaluar”, thotë operatori.

Normaliteti i ri po ndryshon edhe trendet e rezervimeve. Turistët e huaj që po vijnë prenotimin e bëjnë në momentin e fundit dhe nuk bëjnë rezervime all incluzive.

“Të huajit kanë ardhur në Shqipëri, por ndryshe nga vitet e kaluara kanë ardhur në momentin e fundit dhe nuk kanë bërë rezervime të parakohshme. Kanë qenë nga Polonia që ka qenë edhe charteri, nga Italia dhe nga Franca. Të gjitha rezervimet nga muaji shkurt i 2020 dhe deri në vitin tjetër janë shtyrë”, pohon Jetmira Hoxha përfaqësuese e një Agjencie Turistike.

Sfida e COVID-19, sipas Ozunit nga bizneset turistike duhet të shfrytëzohet për të servirur oferta joshëse, edhe pse po ndodh e kundërta.

“Nga këndvështrimi teorik kjo duhet ti rregullonte por kemi parë që jo tek të gjithë ka pasur ulje në çmime. Nuk mund të them abuziv por nuk ka rënë me situatën në të cilën ndodhemi. Është një moment kthese dhe reflektimi për të gjithë industrinë e turizmit në Shqipëri, e cila në vitet e fundit filloj të ndryshonte aspektin e thithjes së turistëve, duke lënë mënjanë turistët mesatar dhe rritën çmimet për shërbimet e tyre”, shprehet Ozuni.

As pandemia nuk mund ti ndalojë çudirat në çmimet e ofertave turistike. Jetmira Hoxha përfaqësuese e një Agjencie Turistike thotë se udhëtimet e vetme për turizëm të shqiptarëve janë drejt Turqisë dhe ai me një kosto shumë më të lartë.

“Një shtetas shqiptar që ka udhëtuar drejt Turqisë kur ka udhëtuar më lirë në vitin e kaluar apo këtë vit?

Vitin që shkoi ka udhëtuar më lirë, këtë vit oferta ka qenë 590 euro për person, ndërsa vitin e kaluar ka qenë edhe më lirë”, tregon Jetmira. Në total në 6-muaj në vendin tonë kanë hyrë rreth 63,4 % shtetas të huaj më pak, ose e përkthyer në shifra vetëm 781.894 persona.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilir: 18/08/2020 15:26

    Asnje biznes i turizmit tuaj nuk leshon kupon. Nga e kuptuat ju qe eshte tkurrur turizmi. Cfare eshte nje biznes qe ka me pak kliente dhe nuk ul cmimet...!?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?