Situata e krijuar nga pandemia ka ndikuar negativisht në mënyrë të jashtëzakonshme mbi transportin e udhëtarëve, njoftoi INSTAT. Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linja detare në mars ishte 67,4 % më i ulët se një vit më parë. Sipas INSTAT-it, në tremujorin e parë të 2020 kanë udhëtuar me linjë detare 125.810 pasagjerë, duke u ulur me 17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Ndërkohë, edhe transporti ajror i pasagjerëve, që ze 82,4 % të transportit gjithsej të udhëtarëve, në tremujorin e parë të 2020 ishte 15,5 % më i ulët, krahasuar me tremujorin e parë të 2019.
Por edhe volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin Mars 2020 është 254 mijë ton duke u ulur 41,2 %, krahasuar me Marsin 2019. Edhe volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë në muajin Mars 2020 është 2,6 milionë ton-kilometër, duke u ulur me 13,8 %, krahasuar me Mars 2019.
Në muajin Mars 2020, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 155,6 ton mallra, duke u ulur me 22,3 %, në krahasim me Mars 2019. Në tremujorin e parë të 2020, me ajër janë transportuar 511,5 ton mallra duke u ulur 9,5 %, krahasuar me tremujorin e parë të 2019. Numri i fluturimeve të kryera, në Mars 2020 është 922 duke shënuar një rënie me 50,3 %, ndaj Mars 2019.
Në tremujorin e parë të vitit 2020, mallrat e eksportuara me rrugë janë ulur 9,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në të njejtën periudhë, mallrat e importuara me rrugë janë ulur me 3,8 %.