Pas Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës, Italia fut në listën e vendeve të pasigurta nga pikpamja epidemiologjike, edhe Rumaninë e Bullgarinë, ‘duke kursyer’ me këtë rast Shqipërinë…
Ministri i shëndetësisë në Itali, Roberto Speranza ka deklaruar sot se ka nënshkruar një rregullore të re që parashikon karantinë të detyrueshme për qytetarët që kanë qëndruar në Rumani dhe Bullgari në 14 ditët e fundit.
“Kjo masë është tashmë në fuqi për të gjitha vendet jo-BE dhe jo-Shengen".
Më 16 korrik Ministri Speranza gjithashtu nënshkroi urdhërin që parashikonte bllokimin e fluturimeve ajrore, hekurudhore dhe të gjitha mjeteve të tjera të transportit tokësor me dhe nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova, të cilat iu shtuan listës fillestare, tashmë me 18 vende, që iu mbyllen kufijtë italianë pasi konsiderohen si vende me situate të rënduar pandemie prej Covid-19.
"Kushdo që ka qenë në këto vende në 14 ditët e fundit – shpjegoi ministri Speranza – i ndalohet hyrja dhe tranziti në Itali".
Ai gjithashtu theksoi se "Në botë, epidemia është në fazën e saj më të vështirë dhe Italia duhet të mbrohet për të mos sakrifikuar përparimin që ka bërë deri më tani".
Aktualisht, ndalesa ka të bëjë me 18 shtete: Armenia, Bahrein, Bangladesh, Brazil, Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Kili, Kuvajt, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Oman, Panama, Peru, Republika Dominikane, Rumani, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.
Rreziku i infeksioneve të reja në Itali tani vjen edhe nga punëtorë dhe kujdestarë që kthehen në punë nga Rumania, pas pushimeve ose pas muajve të emergjencës. Në Itali, në fakt, ekziston një komunitet i madh rumun, i cili shpesh bashkëpunon ngushtë me njerëzit më të brishtë të popullatës italiane.
Frika nga një ringjallje e koronavirusit sërish në Itali, e cila më në fund po merr pak frymë, ka sjellë edhe një deklaratë të guvernatorit të Toskanës, Enrico Rossi i cili shprehet i shqetësuar për rastet e reja që po vijnë nga jashtë vendit.
Ndërkohë situata paraqitet problematike në Ballkan ku Rumania, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina prej disa javësh po përballen me shifra rekordesh ditore infeksioni.
Covid në Rumani
Rumania ka regjistruar në 24 orët e fundit një numër rekord infeksionesh të reja të regjistruara që nga fillimi i pandemisë Covid.
Autoritetet u deklaruan për 1119 persona të identifikuar pozitiv me koronavirus në 24 orët e fundit. Gjithashtu në vend janë regjistruar edhe 24 viktima.
Numri i përgjithshëm i të prekurve nga infeksioni, që nga fillimi i pandemisë është 42 394, për një total viktimash prej 2150.
Covid në Bullgari
Në Bullgari në 24 orët e fundit janë regjistruar 269 raste të reja të koronavirusit (nga të cilët 53 në kryeqytetin Sofje) pas kryerjes së 5.913 testeve diagnostikuese.
Me këto shifra të reja, numri i përgjithshëm i të identifikuarve pozitiv me Covid është rritur në 9853.
Siç raportojnë autoritetet, në vend gjatë 24 orëve të fundit pati edhe 8 viktima koronavirusi, për një total prej 329 vdekjesh që prej fillimit të pandemisë. Gjithashtu raportohet edhe për 593 punonjës shëndetësorë të infektuar.
Ka gjithashtu edhe 4493 raste aktive, ndërsa 665 pacientë ndodhen të shtruar në spitale, 27 prej tyre në kujdes intensiv.
Sot edhe Franca ka bërë të detyrueshme testin e tamponit për udhëtarët që vijnë në Francë nga 16 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku përhapja e Covid-19 është ende veçanërisht e lartë. Në listën e 16 "vendeve në rrezik", përveç Shteteve të Bashkuara janë gjithashtu nga Ballkani, Mali i Zi dhe Serbia
Vendet e tjera: Algjeria, Maroku, Izraeli, Turqia, Afrika e Jugut, Brazili, Kili, Emiratet e Bashkuara Arabe, India, Meksika, Katari, Panama, Peru dhe Kuvajti.
Që nga 1 gusht, udhëtarët nga këto vende "duhet të paraqesin një test ku thuhet se nuk janë bartës të virusit", - tha Kryeministri francez, duke shtuar se ata që do të dëshmohen pozitiv, do të vendosen në karantinë.