Covid-Jep shpresë vaksina e re te majmunët, zhvillohen antitrupa pas 28 ditësh

16 Maj 2020, 13:07| Përditesimi: 16 Maj 2020, 13:11

  • Share

Ndoshta vaksina për të luftuar koronavirus nuk është aq larg. Një studim i kohëve të fundit mbi majmunët ka dhënë rezultate inkurajuese dhe me cilësi të lartë. Rreth 28 ditë pasi u vaksinuan, kafshët zhvilluan antitrupat e nevojshëm për të luftuar virusin Sars-CoV-2.

Sipas të dhënave që dalin nga studimi në fjalë, i botuar në platformën "bioRxiv", nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (Nih) në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, një dozë e vetme e vaksinës eksperimentale, e quajtur "ChAdOx1 nCoV-19", ka mbrojtur gjashtë majmunë Rhesus nga pneumonia të shkaktuara nga koronavirusi.

Gjashtë kafshët kanë zhvilluar një ngarkesë më të ulët virale, pa raportuar simptoma të pneumonisë dhe pa zhvilluar një reagim të tepruar imunitar. Ende nuk është e qartë nëse suksesi i arritur mund të arrihet edhe te njerëzit. Sistemi imunitar i majmunëve dhe njerëzve është në të vërtetë i ndryshëm, edhe pse shumë i ngjashëm. Por mund të konsiderohet një fitore që mund t'i ndihmojë studiuesit të krijojnë një vaksinë që gjithashtu mund të na përshtatet ne si njerëz.

Eksperimentimi te njerëzit

Më 23 Prill, Mbretëria e Bashkuar filloi testimin e vaksinës te mbi një mijë vullnetarë të shëndetshëm, gjithashtu përmes Universitetit të Oksfordit.

Më parë, "ChAdOx1" ishte përdorur për të krijuar vaksina të tjera të afta për të luftuar patogjenë të ndryshëm, përfshirë një koronavirus shumë të ngjashëm, të pranishëm në Lindjen e Mesme, të quajtur Mers, i cili shkakton krizë të aparatit të frymëmarrjes. Studiuesit sqaruan se "gjashtë majmunët që morën vaksinën eksperimentale, 28 ditë më pas ishin të mbrojtur nga Covid përmes antitrupave ëe u zhvilluan te ata.

BBC raportoi se ky testim u krye në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë studiues të nivelit të lartë dhe të tjerë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (NIH) dhe Universiteti i Oksfordit.

I intervistuar nga televizioni shtetëror britanik, Profesori Stephen Evans nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale tha se studimi ishte i një cilësie shumë të lartë dhe shumë inkurajues.

Për momentin ka mbi 100 vaksina eksperimentale në zhvillim, në të gjithë botën, të krijuara për të luftuar koronavirusin. Kjo nuk është hera e parë që janë kryer eksperimente te majmunët për të zhdukur koronavirusin.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?