CRIME STORY: Beleri i pashpaguar! Lidhja me MAVI-n, stërvitjet ushtarake në malet e Qipros dhe sulmi terrorist ndaj postës së Peshkëpisë

22 Mars, 22:40| Përditesimi: 29 Mars, 22:16

  • Share

CRIME STORY-Report Tv/ Në shkurt të vitit 2023, Fredi Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë“ për kreun e Bashkisë së Himarës, e nisi fushatën me flamurin e Vorio Epirit pas shpatullave.

Ishte i njëjti flamur që u përdor, në vitin 1914, në Gjirokastër, gjatë shpalljes së të ashtuquajturës “Republika Autonome e Epirit të Veriut”, një flamur që simbolizon pretendime territoriale ndaj trojeve shqiptare.

Skenografia e zgjedhur mbante gjallë synimet e qarqeve ultranacionaliste greke përkundër Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe parathoshte të ardhmen.Parathoshte rolin që do të luante Fredi Beleri në rast se do të zgjidhej në krye të bashkisë së Himarës.

Por, më 12 maj 2023, historia ndryshoi. Fredi Beleri u arrestua nën akuzën se ishte përfshirë në blerje votash.

Ngjarja rezultoi kërcitëse edhe mes shqiptarëve.Ata kishin informacione negative për Fredi Belerin. Për gjithë shoqërinë shqiptare ai ishte një nga autorët e mundshëm të krimit të egër të vitit 1994, kur një komando e armatosur, e ardhur nga kufiri me Greqinë, sulmoi repartin e Peshkëpisë, në Gjirokastër, duke lënë pas dy ushtarakë të vrarë dhe disa të plagosur.

Pikërisht këto informacione bënë që pjesa më e madhe e shqiptarëve të besonin dhe aprovonin veprimet e drejtësisë me Belerin në rastin e blerjes së votave.

Përtej pritshmërive të shqiptarëve, Greqia zyrtare u shfaq e revoltuar. Kundërpërgjigjja ishte në formë ultimatumi: Fredi Beleri duhet të betohej si Kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, përndryshe Greqia do të bllokonte hapat e mëtejmë të intergrimit europian të shqiptarëve.

Kaq mjaftoi që imazhet e demonstrimeve të fundit, të një miqësie të shtuar shqiptaro-greke, të veniteshin.

Përballja ngjizi akullin e radhës mes dy shteteve fqinje.

Po si rrodhën ngjarjet, si u krijuan mundësitë, që një personazh i arrestuar dhe akuzuar, veç të tjerash, edhe për përfshirje në akte terroriste në dëm të shtetit shqiptar, të kishte gjithë lirinë e mbështetjen e duhur për të kandiduar, disa herë me radhë, për kreun e Bashkisë së Himarës?

Si u bë e mundur të pastrohej nga këto akuza të rënda dhe që zakonisht u kushtëzojnë autorëve gjithë pjesën e mbetur të jetës?

Pikërisht këtë pjesë të errët të historisë së jetës së Fredi Belerit ka në fokus emisioni CRIME STORY, me autor gazetarin Ferdinand Dervishi, pjesa e parë e të cilit u transmetua sot në orën 22:00 në Report TV.

Në këtë pjesë të emisionit për herë të parë paraqiten prova që vërtetojnë një qasje të turpshme të shtetit shqiptar në hetimin e “Masakrës së Peshkëpisë”. Po kështu në pjesën e parë të dokumentarit vjen e plotë edhe historia e MAVI-t (Frontit për Çlirimin e Vorio Epirit), stërvitjet e organizuara ushtarake të anëtarëve të tij në Qipro, lidhjet me sulmin ndaj postës së Peshkëpisë, 10 prill 1994 etj.

Mos e humbisni videon e dokumentarit CRIME STORY në Report Tv.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?