Cristian Shpendi vjen për gola dhe për të mësuar shqipen, Pajaziti s'i dëgjoi mjekët! Flasin protagonistët e përmbysjes së madhe të Shpresave

13 Shtator 2023, 14:42| Përditesimi: 13 Shtator 2023, 16:29

  • Share

Shqipëria U-21 mundi me rezultatin 3-2 përfaqësuesen e Rumanisë U-21 në "Elbasan Arena", takim i vlefshëm për kualifikueset e Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë. Tre golat e realizuar nga, Cristian Shpendi, Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti i dhanë fitoren me përmbysje kuqezinjve të drejtuar nga trajneri Alban Bushi.

Adrion Pajaziti e la grumbullimin një javë më parë, pas një dëmtimi gjatë seancave stërvitore dhe e kishte të pamundur të stërvitej më tej me ekipin. Edhe pse doktori e kishte lejuar të luante vetëm 60 minuta ditën e djeshme, ai nuk pranoi të dilte nga fusha, teksa me golin e tij i dha fitoren Shqipërisë U-21. Në prononcimin për fshf.org, Pajaziti theksoi se kjo përmbysje erdhi sepse ekipi luajti me shpirt në fushë, ndërsa nënvizoi se e gjithë skuadra është motivuar shumë edhe nga fitorja e Kombëtares A.

"I lumtur për fitoren ndaj Rumanisë? Ndihem shumë krenar, shumë mirë. Kam shumë emocione, jam shumë i lumtur. Atmosferën në grup e kemi shumë të mirë, pozitive, i japim njëri-tjetrit shumë përkrahje. Në ditën e parë që kam ardhur në grumbullim, kam dëmtuar këmbën dhe jam mërzitur. Kam qenë keq, por më kanë ndihmuar lojtarët, trajnerët, fizioterapistët, më kanë qëndruar pranë gjithë javës. Kam bërë vetëm një seancë stërvitore. Duhet të luaja vetëm 60 minuta. Jam shumë i lumtur, falënderoj ekipin, trajnerët, të gjithë", tha Pajaziti.

Kapiteni Medon Berisha nuk u dorëzua në këtë ndeshje, ndërsa shënoi edhe golin e dytë dhe të barazimit për kuqezinjtë. Ai tregon për fshf.org se çfarë ndryshoi gjatë pjesës së dytë dhe si ia dolën të përmbysin rezultatin.

"Goli me Shqipërinë U-21? Jam shumë i lumtur që shënova gol me Kombëtaren, nuk kam fjalë ta përshkruaj se si ndihesh kur shënon gol sepse luan për fanellën kuqezi. Jam i lumtur për skuadrën sepse dhamë shpirtin në fushë dhe nuk e humbëm besimin deri në fund. Çfarë ndryshoi pjesën e dytë? Hymë në fushë me më shumë vullnet, me më shumë shpirt, duelet i morëm më agresive, luajtëm më shpejt dhe kemi luajtur më shpejt. Kemi luajtur me ritëm. Jam shumë i lumtur për paraqitjen e skuadrës, sepse nga disavantazhi 2-0 kundër Rumanisë, është e vështirë të fitosh ndeshjen", tha kapiteni.

Cristian Shpendi hyri në fushë në minutën e 61-të dhe dy minuta më vonë ngushtoi rezultatin në 1-2. I emocionuar, sulmuesi shqiptar tregon se kjo ishte pikërisht ajo që ai donte, të ishte vendimtar në fushën e lojës. Veç golave, sulmuesi vjen në atdhe edhe për të mësuar shqipen, teksa pas ndeshjes foli italisht.

“Është një emocion shumë i fortë. Kur hyra, rezultati ishte 2-0 për Rumaninë dhe doja t’i jepja një ‘shkundje’ skuadrës. Jam shumë i lumtur që shënova golin e parë, pastaj pas atij goli skuadra mori kurajo dhe shënuam edhe golin e barazimit dhe golin e fitores. Jam shumë i kënaqur për mënyrën se si hyra në fushë, është pikërisht mënyra se si doja të hyja, të isha vendimtar dhe ia dola mbanë. Golin ia dedikoj nënës dhe babait tim, të cilët ishin sot në stadium për të më parë", tha Cristiani.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?