Pasojat e tërmetit dhe fanella e Ronaldos

Cristiano Ronaldo në ndihmë të Turqisë dhe Sirisë, Vedat Muriqi dhuron 15 mijë euro

7 Shkurt 2023, 21:11
  • Share

Tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë dje, kanë lënë pas më shumë se 7 mijë viktima dhe 35 mijë të plagosur. Tanimë të gjithë janë sensibilizuar për t'iu ardhur në ndihmë të prekurve nga tragjedia. Mbrojtësi turk i Atalantës, Merih Demiral bën me dije se ai ka nisur një fushatë për të mbledhur të ardhura dhe për këtë në ndihmë i ka ardhur edhe Cristiano Ronaldo.

Shokë së bashku te Juventusi, Demiral ka nxjerrë në ankand fanellën e firmosur nga CR7 duke dashur të mbledhë sa më shumë të ardhura për të prekurit nga tërmeti.

"Sapo fola me Cristiano Ronaldon. Ai më tha se i vinte shumë keq për atë që ndodhi në Turqi. Ne po nxjerrim në ankand fanellën e tij të nënshkruar. Të gjitha të ardhurat nga ankandi do të dhurohen për të prekurit nga tërmeti", tha Demiral.

Nga ana tjetër, sulmuesi shqiptar i Mallorcas, Vedat Muriqi ka dhuruar 15 mijë euro për të prekurit e tragjedisë. Për disa vite Muriqi ka luajtur në Turqi, duke pasur një lidhje me këtë vend.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?