SHKODËR - Vllaznia ka vendosur të shkarkojë trajnerin Qatip Osmani dhe ndihmësin e tij Bashkim Livoreka vetëm katër javë nga fundi i sezonit dhe gara në "Final 4".
Drejtuesit shkodranë kanë zyrtarizuar gjithçka në orët e vona të së enjtes, teksa përkohësisht në stol do drejtojë një tjetër Osman, drejtori sportiv nga Korça, Tefiku.
Te Vllaznia duket se kanë gjetur akordin me Thomas Brdaric për një rikthim në Shkodër, me trajnerin gjerman që dy sezone më parë bëri mirë dhe siguroi vendin e dytë duke bërë që në kryeqendrën e veriut ta dashuronin.
Sa i takon shkarkimit të Qatip Osmanit, trajnerit nga Maqedonia e Veriut nuk i mjaftuan 40 pikë në 22 ndeshje për të mbajtur vendin e punës dhe fill pas eliminimit në gjysmëfinalen e Kupës nga Egnatia vjen një vendim i tillë.
I çuditshëm, për vetë faktin se tekniku ia doli të kthejë në shina një ekip që e gjeti të pamotivuar dhe pa pikë, kjo pas shkarkimit të Migen Memellit. Prej 31 tetorit 2023 dhe deri më 25 prillin 2024 Osmani u ul në stolin shkodran për 27 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Me 52 pikë Vllaznia mban vendin e dytë dhe është pranë zyrtarizimit në "Final 4" për të luftuar për titullin kampion në Superligë.
Statistikat e Qatip Osmanit te Vllaznia:
Në kampionat
22 ndeshje - 40 pikë të grumbulluara (11 fitore, 7 barazime, 4 humbje. Golavarazhi 28-19)
Në Kupën e Shqipërisë
5 ndeshje (2 fitore, 1 barazim, 2 humbje: Golavarazhi 12-5)
Superliga shqiptare e futbollit po përgatit javën e 33-të, e katërta nga fundi i sezonit të rregullt. Në orët e vona të së enjtes Vllaznia konfirmoi shkarkimin e Qatip Osmanit, me 54-vjeçarin nga Maqedonia e Veriut që bëhet tekniku i radhës që nuk i shpëton "furtunës" së shkarkimeve.
Nëse kthejmë kokën pas, në fillimin e edicionit 2023-24, vetëm Edlir Tetova që kryeson kampionatin me Egnatian dhe serbi Ivan Gvozdenovic i Skënderbeut nuk janë shkarkuar nga stolat respektivë.