Reklamimet në TikTok

‘Daily Mail’ publikon rastet: Shqiptarët ndihmojnë kriminelët të arratisen, 2500 £ për t’i nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar! Bandat reklamojnë ofertat në TikTok

5 Gusht 2023, 10:29| Përditesimi: 5 Gusht 2023, 10:55

  • Share

“Kontrabanduesit e njerëzve po fitojnë para dyfish, duke sjellë emigrantë të paligjshëm në Britani dhe duke ndihmuar kriminelët e kërkuar, përfshirë edhe vrasës që të arratisen. Shqiptarët po reklamojnë me paturpësi oferta udhëtimi, përmes kamionëve për njerëzit që kanë probleme dhe duan të largohen sa më shpejt nga Anglia”. Kështu nis një shkrim i gjatë investigativ i tabloidit britanik “Daily Mail”.

Njëri prej trafikantëve shqiptarë i tha një gazetari të infiltruar të “Daily Mail”, që u paraqit si i afërmi i një burri në arrati pasi kishte vrarë dikë se ai mund të arratisej nga Britania në një vend të Evropës që atë natë për 3 mijë £.

Një tjetër llogari e hapur nga një kontrabandist, që mund të kontaktohet në TikTok, ofron një shërbim me porosi prej 17 500 £ për të shpëtuar kriminelët me dokumente të falsifikuara. Trafikanti tha se truku përdorej në mënyrë rutinë për emigrantët e paligjshëm që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Forcat e policisë britanike janë vënë në ndjekje të 38 kriminelëve shqiptarë, përfshirë 9 të kërkuar për vrasje dhe 2 përdhunues, njëri që akuzohet për sulm ndaj një fëmije. Të dyshuar të tjerë shqiptarë në arrati përfshijnë një mashtrues për 3 milionë paund, një abuzues në familje, një prodhues kanabisi, një tregtar kokaine dhe një të arratisur që i ka shpëtuar burgut.

Dyshohet se disa prej tyre mund të jenë larguar nga Mbretëria e Bashkuar me ndihmën e kontrabandistëve.

Reklamimi në TikTok, i gjetur nga Mail thotë: “Njerëzit që duan të largohen nga Anglia sa më shpejt të jetë e mundur, për të shkuar në Francë ose Belgjikë në pjesën e pasme të kamionit. Çmimi 2500 sterlina”.

Një tjetër llogari në TikTok kishte mbi 140 video me reklama të tilla për hyrje dhe dalje me kamion. Ndërsa një faqe e tretë e drejtuar nga një bandë tjetër kërkon kontakt të drejtpërdrejtë nga kushdo që dëshiron të kthehet në BE nga Anglia me kamion.

Faqja kishte mbi 40 postime, shumë prej të cilave ofronin kalim të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar ose me kamion ose me jaht.

Kur një gazetar i infiltruar i Daily Mail kontaktoi këtë faqe dhe la të dhënat e tij, ai mori një mesazh nga një kontrabandist shqiptar me një numër telefoni në Mbretërinë e Bashkuar. Në shkëmbimet e mëvonshme në WhatsApp, gazetari u justifikua se një i afërm i tij në Mbretërinë e Bashkuar duhej të arratisej sa më shpejt që të ishte e mundur, sepse ai kishte goditur me thikë një anëtar të bandës rivale që po përpiqej të grabiste shtëpinë e tij të kanabisit. Viktima kishte vdekur më vonë në spital. Historia ishte e sajuar.

Duke kërkuar vetëm 3 mijë £ për në Francë, kontrabandistit iu deshën vetëm disa minuta për të transmetuar një kod postar të një parku në periferi të Ashford, Kent, një autostradë e vogël nga tuneli i Channel dhe Dover. Takimi ishte për në orën 1 të mëngjesit.

“Njeriu juaj duhet të jetë në atë adresë sonte. Është një restorant i vogël dhe një pikë karburanti. Shoferi do të jetë aty. Dorëzoi paratë shoferit dhe pa asnjë shqetësim ai do të jetë në Francë. Thuaji njeriut tënd se nëse shoferi kërkon detaje, t’i thotë që ka një problem urgjent familjar dhe dëshiron të dalë sa më shpejt”.

Një tjetër llogari kontrabandisti e quajtur “Travel Agency London” thotë se për 17 500 £ të merrte nga një banesë në Leeds. Ai premtonte një udhëtim në kabinën e një kamioni belg për të dalë jashtë Mbretërisë së Bashkuar duke të kompletuar me dokumente të rreme udhëtimi.

Të dyshuarit shqiptarë në kërkim kanë arritur të arratisen nga Britania e Madhe në shumë raste.

TikTok ndaloi llogaritë e kontrabandistëve pasi u njoftua nga Daily Mail, por kur faqe të tilla hiqen ato zakonisht rishfaqen shpejt në një formë tjetër të ngjashme. Një zëdhënës i TikTok tha: “Ne kemi zero tolerancë për përmbajtjen që lehtëson kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Videot dhe llogaritë në fjalë janë ndaluar dhe ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me zbatuesit e ligjit në Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët për të gjetur dhe hequr përmbajtje të kësaj natyre.”

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?