Foto ilustruese

Dalim për një kafe andej nga mbledhja

27 Janar 2021, 11:14| Përditesimi: 27 Janar 2021, 11:20

  • Share

Kafja duket se është shtruar me mermerin e famshëm të Muhurit, por nuk ka ngrohje. Pesë a gjashtë burra kanë ardhur për mbledhje dhe kanë afruar tavolinat. As kanë hequr xhupat e rëndë, as kanë liruar trupin si në ‘ndenje’. Bulqiza është e ftohtë.

Në asnjërën prej portreteve të burrave nuk lexohet e njëjta mendje. I ardhuri nga Tirana ka një alarm të vogël që të tjerët nuk e kanë: Aty përjashta, mbledhur kruspull, janë ulur dy a tre të tjerë, pinë duhen, por nuk janë për mbledhje. ‘Takimet me strukturat’ duhen transmetuar në facebook, se i kërkojnë nga qendra!… Këto bluan i deleguari nga Tirana.

Të tjerët kanë tjetër tis në fytyrë:

I pari duket se dikur ka qenë nëpunës i shtetit; ka një përqendrim më të disiplinuar dhe kontrollues. Në krahun e djathtë të të deleguarit nga Tirana, dhe dy karrige më tej, duken dy burra që ngjajnë me të ardhurin, po ngjajnë si dy pika ujë. Në tavolinat e vogla e të rrumbullakëta ka ‘Ivi’, kafe dhe nga një gotë raki. Njëri nga më të imtët mes burrash, nuk duket se ka ndonjë lidhje me gotën, por megjithatë është i lëshuar si të ketë rënë nga rakia. Dy tre të tjerë nuk kanë vend ku ulen dhe presin me duar në xhepa. Njëri, si më intelektuali, pozon duke qeshur e me gishtin në faqe; ndoshta është nga ata që shkruan vjersha në fshat dhe këta i duhen Partisë. Një ekran televizori varet në mur; ka ndodhur pikërisht ora kur një vajzë nga Maqellara jep lajmet nga një kanal i Tiranës.

Ka nisur puna përgatitore për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit dhe disa parti kanë emëruar të emëruarit e Partisë në qarqe; më duket se vetëm PD deri më sot. Fotot për mbledhjen e Bulqizës kanë marrë dhènë përmes facebok-ut. I emëruari nga qendra është Xhelali, që ka qenë kryetar bashkie në Kamzë, por facebokun e ushqen një tjetër militant, edhe ky me emrin Xhelal. Njerëzia është ndarë edhe brenda llojit politik: Dikush shërben propagandën, dikush kujdeset mos hyjnë armiq në mbledhje; të tjerët kujdesen për veten e tyre: kush ka qejf një gotë raki, kush një ‘Ivi’ e kush veç kafe. Fëmijët dikur thërrisnin ‘hajde luajmë andej nga mbledhja’ dhe nënkuptonin ‘qendrën e emulacionit’ në fshat. Tani fëmijët e burrëruar thërrasin njëri tjetrin: ‘haj dalim për një kafe andej nga mbledhja’.

Në të gjithë vendin, jo vetëm në Bulqizë, po ndodh kështu, kur ‘vjen mbledhja’. Ky është një zakon i vjetër, madje qysh para pluralizmit politik. Atëherë në qytetin e vogël priteshin vetëm dy a tre thirrje që iu vinin mirë të gjithëve: O thirrja ‘erdhi kinemaje’, o thirrja ‘erdhi akullorja’, ose në disa fshatra kur vinte ariu i Cirkut. Por pastaj jeta u bë shumë më e bollshme. Pjetër Arbnori, një disident i madh dhe i burgosur i komunizmit, pat thënë një herë në publik se ‘tani në koshat e plehrave gjen letra karamelesh e çokolatash’.

Por një gjë nuk ndryshoi kurrë: Ata janë të gjithë të ndarë në fise aq sa ngjajnë si vëllezër në të njëjtën mbledhje- kjo është e para. Dhe e dyta- ku ka një mbledhje, aty ka një kafe e një gotë raki.

Një djalë shqiptar, që studioi në Nju Jork, dhe që erdhi të punojë në Tiranë, kishte pasur siklet me të njohurit në qytetin amerikan. Ishte diku nga viti 1992, dhe Froni ( Nazi) kthehej shpesh te prindërit në Nju Jork. Të njohurit, deshën të dinë si bëhet biznes në Shqipëri, e mbase edhe provonin. (Jo si historia e shpifur e Ndragheta që këto ditë mashtroi të gjithë budallenjtë). Froni nuk donte të fliste për biznesin e bashkëkombësve. Por një ditë ia kërkuan me ‘çdo kusht’. Atëherë djaloshi i thërriti miqtë në një bar. I ftoi të uleshin në shilte dhe u solli nga një gotë raki e duhan. Pastaj prapë raki… Erdhi një çast që u bezdisën dhe i thanë ‘mjaft, na trego tani si bëhet biznesi atje’. Djaloshi ngriti duart e iu bëri shenjë se ‘ja kështu!’.

Më erdhi në mendje për shkak të mbledhjeve të partisë për fushatën e 25 prillit. Biznesi, sigurisht që ka ndryshuar nga tregimi në Nju Jork 1992. Por puna e politikës është njësoj si biznesi me markën ‘pak raki e duhan e kafe’. Kudo kështu ka nisur fushata politike e zgjedhjeve të 25 prillit.

Njerëzit e presin me kërshëri fushatën, jo të gjithë, por sidomos carahoshët e fshatit. Këta e dinë ku jepet një kafe e një gotë raki. Nesër ose pasnesër vjen partia tjetër; edhe ajo nuk mund të jetë pa një kafe e një raki.

Politika nuk i ka shumë borxh individit që e mashtron. E mashtron për vilat e veta, për Ndraghetën, për të vdekurit, për covidin, për përmbytjet… Politika mashtron veten, ç’borxh i ka tjetrit?

Por edhe njerëzit e ‘Bulqizave’ e marrin lehtë- lehtë: Një gotë raki e një kafe!, pa le të mashtrojnë sa të duan. Se mos këta që vijnë për kafe, vallë i tregojnë të vërtetën Partisë!?/ Gazeta "Tema"

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?