Dalipi “harron” Starovën: Kapitull i ri te Partizani

7 Prill 2018, 14:04| Përditesimi: 7 Prill 2018, 15:55

  • Share

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, kërkon të lërë gjurmë në drejtim të të kuqve, duke krijuar profilin e tij dhe duke bërë që të harrohet Starova, i cili tashmë drejton në Kosovë.

Dalipi doli sot në një konferencë për shtyp para gazetarëve, ku foli për përgatitjet e ndeshjes ndaj Laçit si dhe për lojtarët që do të hedhë në fushë. Numri një i pankinës të kuqe ka shumë besim te skuadra e tij. I pyetur për deklaratat e Starovës, Dalipi e injoroi pyetjen, duke deklaruar se nuk ka kohë të lexojë mediat.

3 ndeshje asnjë gol ndaj Laçit. Mendoni që Partizani do të jetë më sulmues në këtë ndeshje dhe do e gjeni golin?
Mos harrojmë që kemi një lojtar me shumë eksperiencë si Progni, i cili ka bërë shumë mirë këto ndeshjet e fundit. Di të ruajë mirë ekulibrat e lojës.

Por edhe dyshja e mesfushës, Batha-Mala, si dhe Asani që është një lojtar shumë i mirë që e njeh portën. Besoj që duke dhënë më të mirën këta lojtarë, pa kursyer asnjë energji, Partizani do të bëjë maksimumin për të arritur kupat e Europës.

Starova deklaroi se Partizani nuk ka ndryshuar nga ai që drejtonte ai dhe jo më kot tha që ky është ekipi më i mirë. A keni një koment për këtë?
Nuk e kam lexuar intervistën e Starovës, sepse nuk kam aq shumë kohë të lexoj mediet. Merrem gjithë kohës me skuadrën dhe jam i fokusuar te skuadra ime. Kam gjëra më të rëndësishme, në qëllimin që kemi. Duhet të fokusohemi fort te fusha e lojës. Ajo është gjëja që na ngreh lart dhe na çon atje ku duhet…

A të shqetësojnë zërat që klubi po bisedon me një trajner të huaj?
Nuk më shqetësojnë sepse dihet që në momentin që unë u emërova si trajner i Partizanit, ishte periudhë emergjence. Deshi fati apo edhe merita e lojtarëve të cilët ndryshuan një marsh dhe e çuan skuadrën këtu ku është. Puna ime apo e skuadrës do ta tregojë kush do të vazhdoj sezonin e ardhshëm.

Në qoftë se në sezonit e ardhëm do iu kërkoni të ishit zëvendës-trajner, do e pranonit?
Besoj që tashmë ka filluar një kapitull i ri dhe do të mendoj më të mirën për të bërë atë që më takon. Gjatë kohës që kam qenë zv.trajner kam pasur shumë kërkesa për të qenë trajner i parë. Kam duruar dhe kam pritur momentin tim. Ky moment erdhi dhe dua ta shijoj. Se çfarë do të ndodhë do t’ia lëmë kohës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?