TIRANË- Publikimi i të informacioneve personale të qytetarëve shqiptarë, si pagat dhe targat janë konsideruar si shkelje e ligjit nga ana e Komisionerit për mbrojtjen e këtyre të dhënave, Besnik Dervishi. Për këtë arsye, ai ka konsideruar që Drejtoria e Tatimeve dhe DPSHTRR-ja nuk e kanë kryer detyrën e tyre për mbrojtjen e të dhënave e për pasojë janë gjobitur. Më konkretisht gjoba është rreth 3 mln lekë për ‘Tatimet’ dhe 1 mln lekë për DPSHTRR.
“Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka gjobitur me 3 milionë lekë ose rreth 25 mijë euro, Drejtorinë e Tatimeve për publikimin e pagave për më shumë se 637 mijë qytetarë shqiptarë.
Në vendimin e publikuar në fund të muajit nëntor të vitit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka konstatuar 6 shkelje ligjore nga tatimet për të cilat janë vendosur edhe masat administrative. Gjoba është 25 mijë euro dhe Zyra e Komisionerit në hetimin administrativ nga provat e administruara ka konstatuar se Tatimet ndonëse kanë miratuar një rregullore në funksion të sigurisë së informacionit, nuk ka vendosur rregullat për zbatimin e rregullores.
Gjithashtu, në vendim Komisioneri vë në dukje po ashtu se nuk janë trajnuar si duhet kapacitetet e duhura njerëzore. “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka ndërmarrë masa konkrete në kuadër të trajnimit të punonjësve që kanë akses dhe përpunojnë të dhëna personale lidhur me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Rezulton mosplotësim i detyrimeve në lidhje me ngritjen, administrimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit të Menaxhimit së Sigurisë së Informacionit) për sa i takon mbrojtjes së të dhënave personale”, thuhet ndër të tjera në vendim.
Skandali i publikimit të pagave dhe të dhënat personale rrezikoi stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve. Këto të dhëna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 shqiptarëve, numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!