“Drejtësia në vend për ne është pushkatim.” Kështu është shprehur për Dan Hutrën vëllai i Elena Hysës, ish bashkëshorti i së cilës vrau 2 anëtare të familjes së tyre. Të dy vëllezërit e saj kanë treguar se nuk kishin dijeni për konfliktet mes tyre dhe prej një telefonate mësuan për lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të motrës Mevlute Hysa dhe partneres së njërit prej tyre Hasime Dafku.
“Nuk na e kanë thënë se kanë menduar që gjërat do i rregullojnë vetë. Kanë folur vetë prindërit. Se di si janë bërë këto gjëra se s’kemi qenë në Shqipëri. Ne s’dinim asgjë derisa morëm telefonatën.
S’kanë njoftuar fare. Po të ishte njoftuar s’do ishim në Gjermani. S’kam fjalë. Më janë prerë krahët. Drejtësia në vend për ne është pushkatim. Si të paguajmë me taksat tona që të hajë bukë një kriminel që ka bërë masakër?” – thanë vëllezërit për emisionin ‘Inside Story’.
Kur shkoi në banesën që familja Hysa jetonte në Paskuqan, sipas audios së dalë nga kamera e sigurisë, Hutra dëgjohet se ka qëlluar 2 herë me kallashnikov dhe më pas qëlloi me breshëri ndaj grave që gjeti në banesë. Hysa dhe Dafku që mbetën të vdekura nga plumbat ishin duke larë makinën në oborr. Arsyeja e këtij krimi makabër ishte fakti që Hutra nuk pranonte se Elena e kishte fëmijën me të.
“Jam nisur për në banesën e Elenës. Doja ta vrisja sepse unë i kërkova disa herë që të bënte ADN-në e fëmijës, edhe nga burgu i kisha dërguar mesazhe, por ata nuk pranuan. Pasi shkova në banesë kam qëlluar me thikë dhe me armën që kisha me vete”, mësohet të ketë thënë Hutra.
Mdërsa vëllai i Etleva Kurtit, viktimës së tretë të masakrës së 1 marsit është shprehur se ia kanë lënë në dorë drejtësisë.
“Ia kemi lënë shtetit. Cfarë të kërkojmë nga shteti, kanë marrë të tjerët përgjigje nga shteti që ta marrim neve?”, tha vëllai i saj në lidhje telefonike.
Etleva Kurti që u vra nga Hutra kishte shkuar për vizitë te shtëpia e nënës në Bathore por u ekzekutua pa mëshirë nga serial killeri. Ajo prej muajsh ishte e martuar në Lezhë, ku edhe jetonte. Hutra vrau Etlevën në shenjë hakmarrje ndaj Vladimir Kurtit, me të cilin ka qenë në një qeli në burg dhe supozon se ka dashur që ta vrasë.
Kryefamiljari Petrit Kurti nuk gjendej në banesë pasi ndodhet jashtë shtetit ku ruhet nga gjakmarrja pasi i biri vuan dënimin me burg për vrasje.
Shënjestra e fundit e Dan Hutrës para se të arrestohej nga policia ishte Rrahman Sela. Sipas tij, Sela ka siguruar armën me të cilën i është vrarë i ati 23 vite më parë, ndaj donte të hakmerrej. Por fqinji ka mohuar lidhjet me të pa dhënë detaje të tjera.
“S’kam lidhje me të”, tha Sela.
Dinamika e ngjarjes, si i ekzekutoi 3 gra Dan Hutra:
Mesditën e së mërkurës së 1 marsit në orën 12:15 duke i dhënë një makine “Benz” të zi me targë AA 531 UK, me një kallashnikov dhe thikë brenda saj, është ndalur në zonën e “Astirit” dhe ka plagosur me thikë ish të dashurën e tij Marjana Gurakuqi. Kjo e fundit nuk denoncoi paraprakisht në polici, çka pasoi edhe vrasjet e pandalura të Hutrës.
Më pas, me nxitim dhe me një plan të qartë në kokë, me të njëjtën makinë dhe të njëjtat armë krimi, Dan Hutra është nisur drejt Paskuqanit te banesa e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, me të cilën kishte një vajzë të vogël vetëm 4 muajshe. Vrasësi i pandalur është futur brenda shtëpisë private ku Hysa jetonte me familjarë të saj dhe ka qëlluar me breshëri ndaj tyre pa menduar se kë merr para. Si pasojë ndërruan jetë motra e ish-bashkëjetueses Mevlute Hysa 30 vjeç dhe e fejuara e vëllait të Elena Hysës, gjithashtu 30-vjeçare, Hasime Dafku. Në mesin e kësaj tragjedie, ish-bashkëjetuesja 35-vjeçare dhe nëna e saj Kujtime Hysa 60 vjeç, mbetën të plagosura pasi ndaj tyre Dan Hutra nuk përdori plumbat e kallashnikovit, por i goditi me thikë.
Masakra ka vijuar edhe më tej. Ky vrasës i rrezikshëm i arratisur me makinën Benz të zi dhe armët e krimit në të, u drejtua drejt Kamzës, aty ku qëlloi me të paktën 3 plumba një tjetër vajzë, 31-vjeçaren Etleva Kurti. Ishte vëllai i saj Vladimir Kurti që sqaroi në një telefonatë nga qelia, ka treguar se ka pasur një debat të ashpër me Dan Hutrën teksa vuanin të dy dënimin në të njëjtin burg, madje e kishte kërcënuar herë pas here se do i vriste motrën. Dan Hutra u kap 7 orë pas masakrës në zonën e Landfillit të Sharrës.
Kush është Dan Hutra?
Dan Hutra është një njeri i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ka një skedë të pasur kriminale ku përfshihen vepra të ndryshme penale për përdhunim, pengmarrje, vrasje, 2 tentativa të bujshme arratisjeje, sherret në burg, vjedhje, në total 20 vite histori kriminale! Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë", i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash. Gjithashtu, më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023. Mbetet mister si u lirua ky monstër.