Roma dhe Verona luajnë nesër në orën 18:00 për javën e 21-të në Serie A. Në këtë duel dhe para tifozëve të vet në "Olimpico" do debutojë trajneri i ri i Romës, Daniele De Rossi. Përpara medieve ai ka thënë se e ka dashuruar profesionin e trajnerit nga Spalletti dhe Luis Enrique, teksa në ditët në vijim do ketë një takim me Francesco Tottin.
"Nisa ta dua profesionin e trajnerit prej Spallettit dhe Luis Enriques, të cilët sulmojnë me shumë forca përpara dhe luajnë me katër mbrojtës. Gjithsesi, kjo Romë është ndërtuar të luajë me tre mbrojtës, kështu që do të bëjmë vlerësimet tona përpara se të vendosim në lidhje me skemën taktike.
Skuadra? Shoh fytyra që më pëlqejnë, djemtë po stërviten fort. Të gjithë janë të gatshëm për të punuar, kam marrë përgjigje të shkëlqyera prej tyre. Totti? Kam biseduar me Francescon, ai është i lumtur për mua. Më dërgoi urimet më të mira, në ditët e ardhshme do të takohem me të”, thekson 40-vjeçari.
Pas javës së 20-të në Serie A, Roma me 29 pikë mban vendin e nëntë, ndërsa Verona me 17 pikë pozicionohet në vendin e 18.