Danieli, 21-vjeçari me Sindromën Down që punon si kamarier: Jam shumë i kënaqur, njerëzit janë të mrekullueshëm

21 Mars, 18:34| Përditesimi: 21 Mars, 18:44

  • Share

Danielin 21-vjeçarin me sindromën Down e gjejmë duke shërbyer si ndihmës kamerier në këtë kafene në rrugën e Thesarit në zonën e Freskut në Tiranë.

Puna e re, pas asaj si kopshtar, i pëlqen shumë. Ka zënë shumë miq dhe klientët thonë se e duan shumë.

“Punoj këtu në lokal. Gjithçka në rregull. Për herë të parë kam filluar punë në dhjetor. Jam shumë i kënaqur sepse ia kam marrë dorën. Tabakanë e mbaj me një dorë. Edhe njerëzit janë të mrekullueshëm, i dua fort.”

Si në punë dhe në jetën e përditshme, Danieli është i pavarur. Nuk ka nevojë për shoqërim apo për ndihmën e dikujt. Kjo thotë ai, i ka bërë shumë krenar familjarët të cilët kanë qenë përkrahja më e madhe.

“Punoj dy orë në ditë dhe kënaqem shumë. Më pëlqen ky lokali, është shumë i madh.”

Në SNAP Atelier & Café, përveç Danielit janë të punësuar dhe të tjerë të rinj me nevoja të veçanta. Paratë e mbledhura nga xhiroja ditore por edhe nga punimet e kornizave e kartolinave, shkojnë po për personat me nevoja të posaçme.

21 marsi është dita botërore e sindromës Down, dhe në këtë datë të shumta ishin aktivitetet ndërgjegjësuese në kryeqytet, mes të cilave edhe mbjellja e pemëve e luleve në Parkun “Rinia”. Në Shqipëri aktualisht numërohen rreth 650 persona me sindromën Down.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?