Vedant Patel

DASH: Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë

19 Mars, 21:32| Përditesimi: 19 Mars, 21:35

  • Share

Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë, ka thënë të martën zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Vedant Patel.

Ai e ka bërë këtë deklaratë kur është pyetur në një konferencë për media lidhur me deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të bërë një ditë më parë, se është arritur një pjesë e pajtueshmërisë për propozimin amerikan për punën e dinarit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë prej 1 shkurtit rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton euron si valutën e vetme për pagesa me para të gatshme.

Kështu, serbëve të Kosovës u është pamundësuar përdorimi i dinarit serb.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për komunitetin serb në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Osmani ka thënë se edhe komuniteti ndërkombëtar pajtohet që ndihma e Serbisë duhet të arrijë në Kosovë në euro dhe jo në dinarë, ndërsa tani autoritetet e Kosovës janë duke shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë të mos keqpërdoret.

Zyrtari amerikan Patel, e ka përsëritur sërish shqetësimin amerikan për situatën e krijuar dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulin tensionet.

Sipas tij, dialogu Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel është kanali për zgjidhje të çështjeve sikurse dinari.

"Bisedimet [në Bruksel] i mirëpresim. Janë zhvilluar në kuadër të dialogut të lehtësuar prej BE-së, sot, dhe aty përfshihet diskutimi për rregulloren e re të BQK-së për valutën, dhe ne besojmë që këto bisedime duhet të zhvillohen me urgjencë”, ka thënë Patel.

Kryenegociatorët e dy vendeve, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryetari i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kanë diskutuar të martën në Bruksel për këtë çështje dhe është arritur pajtueshmëri që deri më 22 mars palët t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve.

Komuniteti ndërkombëtar e ka përsëritur disa herë që nuk e kundërshton legjitimitetin e vendimit, mirëpo nuk është dakord me shpejtësinë e zbatimit të vendimit, pa ofruar alternativa për serbët në Kosovë.

Po të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së./ REL 

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?