Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur ‘non grata’ në SHBA dy zyrtarë të Malit të Zi.
Bëhet fjalë për ish-kryetarin e Bashkisë së Budvës dhe ish-deputetin Milo Bozoviç, si dhe ish-kryetaren e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica.
Ata akuzohen se kanë mbështetur organizata kriminale.
Sipas DASH, Milo Bozoviç shfrytëzoi pushtetin dhe postin e tij për të mbështetur krimin e organizuar dhe operacionet ndërkombëtare të trafikimit të drogës.
Ndërsa Medenica akuzohet nga DASH se ka abuzuar me pozicionin e saj publik për të mbështetur një organizatë kriminale të kontrabandës, duke nxjerrë informacione gjyqësore, duke ndërmjetësuar vendime gjyqësore dhe ka marrë ryshfet për të ndryshuar vendime gjyqësore në këmbim të parave dhe pasurive të paluajtshme.
DASH thotë se ata konsiderohen të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA për shkak të përfshirjes në korrupsion madhor që mundësoi trafikimin e drogës.
Të ndaluar për të hyrë në SHBA janë edhe familjarët e ish-kryebashkiakut të Budvës, Dragana Bozoviç, Balsa Bozoviç dhe Pavle Bozoviç, si dhe njerëz të afërt të familjes së ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Milos Medenica dhe Marija Medenica.
Në vendimin për shpalljen non grata të dy zyrtarëve të Malit të Zi, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se këto sanksione riafirmojnë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar trafikimin e paligjshëm të drogës dhe organizatat ndërkombëtare kriminale, dhe korrupsionin që kërcënon interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Kush është Vesna Medenica:
Vesna Medenica ka qenë një nga figurat më me ndikim të sistemit gjyqësor në Mal të Zi gjatë dy dekadave të fundit. Ajo ka shërbyer 17 vjet në funksione gjyqësore dhe është zgjedhur tri herë kryetare e Gjykatës Supreme, ndonëse Kushtetuta e Malit të Zi lejon vetëm dy mandate. Para kësaj detyre, ajo ka mbajtur edhe postin e kryeprokurores së shtetit.
Në prill të vitit 2022 ajo u arrestua pas publikimit të transkripteve të Europolit, të cilat përmbanin biseda të përgjuara nga aplikacioni “Sky” mes të birit, Millosh Medenica, dhe truprojës së saj, policit Darko Llalloviq, ku diskutoheshin marrëveshje për kontrabandë droge dhe duhani. Nga transkriptet rezultonte se Medenica ishte në dijeni të aktiviteteve kriminale dhe se ishte e gatshme t’i mbronte ata.
Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi e akuzon Medenican se në periudhën 2019–2021, duke shfrytëzuar pozitën e saj, ka ndërhyrë në zgjidhjen e disa çështjeve gjyqësore në favor të kompanive të caktuara, duke pranuar ryshfet. Po ashtu, ajo akuzohet se ka ushtruar presion mbi gjyqtarët për të marrë vendime të paligjshme.
Sipas aktakuzës së ngritur në tetor 2022, djali i saj Millosh akuzohet, ndër të tjera, se në vitin 2019 ka krijuar një organizatë kriminale me qëllim kontrabandimin e duhanit dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm mbi drejtësinë. Në gjykimin e saj para Gjykatës Supreme në Podgoricë, Medenica ka mohuar të gjitha akuzat, duke i quajtur ato hakmarrje politike.
Kush është Milo Bozoviç:
Milo Bozoviç u arrestua në prill 2023 nën dyshimet për krijimin e një organizate kriminale dhe prodhim e trafikim të paligjshëm të narkotikëve. Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi ka ngritur aktakuzë kundër tij për krijim të organizatës kriminale dhe kontrabandë të kokainës.
Kujtojmë se në Shqipëri, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur non grata ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, si i pari zyrtar i lartë dhe funksionar drejtësie që u aplikua ky sanksion, ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, politikani Tom Doshi dhe ish-Kryeministri Sali Berisha.
Komente
