ELBASAN- Kandidati për deputet i PD në listën e hapur të Elbasanit, Renato Kumrija ka hedhur akuza të forta drejt Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka. Përmes një reagimi në Facebook, ai shkruan se i është komunikuar lajmi se nuk do të jetë në listë si kandidat për deputet sepse duhet t’i lindte vendin dikujt tjetër.
Edhe pse Kumrija thotë se e ka kundërshtuar këtë vendim, që sipas tij është në shkelje të statutit të Partisë demokratike, pasi ka qenë ndër më të votuarit mes të rinjve në primaret e Elbasanit, Flamur Noka nuk është tërhequr dhe i ka komunikuar vendimin se emri i tij është fshirë nga lista e kandidatëve për deputetë pasi do të zëvendësohet me dikë tjetër.
Report Tv u interesua në KQZ dhe përfaqësuesi ligjor i PD, Marash Logu tha e lista është korrigjuar për shkak të respektimit të detyrimit ligjor të kuotës gjinore
“Rishikimi i listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyer të subjektit zgjedhor "Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore" për qarkun e Elbasanit është bërë vetëm për shkak të respektimit të detyrimit ligjor të kuotës gjinore (neni 67, pika 6, e Kodit Zgjedhor).
Pasi është dorëzuar lista paraprake e kandidatëve, KQZ ka kërkuar nga përfaqësuesit e PD-ASHM që të rishikojnë listën e qarkut të Elbasanit, me qëllim respektimin e kuotës gjinore, ku një ndër tre kandidatët duhet t'i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar, që në rastin konkret nënkuptonte zëvendësimin e një kandidati burrë me një kandidate grua”, tha Marash Logu për Report Tv.
Përflitej një rikthimin i mundshëm i Dash Sulës në listat e PD edhe pas largimit nga koalicioni i Adriatik Lapajt, por KQZ konfirmoi për Report Tv se emri i tij nuk është në listën e korrigjuar të PD, pasi nuk plotësohej kuota gjinore dhe për këtë arsye kanë hequr kandidatin Kumrija dhe e kanë zëvendësuar me një grua. Vetë Sula tha një ditë më parë se po kërkohet me ngulm nga PD.
Sipas ligjit, Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka afat deri nesër për të bërë rregullime te listat, për të hequr apo për të shtuar kandidatë, pasi nesër në 13:00, KQZ pritet të japë vendimin final për miratimin e emrave të 186 kandidatëve.
Postimi i plotë i Renato Kumrisë
Të dashur anëtarë të Partisë Demokratike Qarku Elbasan, miq, shokë dhe bashkëpunëtorë që keni besuar tek unë si një i ri në politikë dhe më keni dhënë mbështetje të pakushtëzuar, pa interes, që të jem kandidat për deputet i Partisë Demokratike.
Ju vë në dijeni që më ka thirrur Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i cili më ka komunikuar që unë nuk do të jem në listë si kandidat për deputet. Arsyeja është e thjeshtë, pasi duhet t’ia lënë vendin dikujt tjetër, ndërsa kanë lënë në listë kandidatë me shumë më pak mbështetje nga Primaret. Edhe pse e kundërshtova me forcë qëndrimin e tij personal, duke shkelur statutin e PD dhe çdo kod njerëzor, ai (Flamuri) ma fshiu emrin.
Dua të falënderoj gjithsecilin nga ju, të cilët më mundësuat që unë isha një ndër të rinjtë më të votuar në qytetin e Elbasanit (i 3-ti në renditje, në nivel Qarku isha i 8-ti dhe dola si një ndër kandidatët e rinj më potencialë për të marrë pjesë në zgjedhjet Parlamentare si përfaqësues i PD-së).
Për fat të keq, kuptova që puna, përkushtimi dhe interesi për t’i dhënë zë nevojave të qytetarëve të thjeshtë dhe për t’i përfaqësuar ata denjësisht nuk është primare për politikëbërësit. Unë isha dhe jam një si ju, bir i një familjeje të thjeshtë shqiptare, që besova se ku më mirë sesa një njeri i “popullit” njihte më mirë nevojat e shtresës sonë.
Prandaj, me keqardhje; miq dhe dashamirës që e pritet me krahëhapur figurën dhe njeriun që unë përfaqësoj, ju lajmëroj që nuk do të jem pjesë e "listës së hapur", sepse është më e mbyllur se vetë emri nga Flamur Noka. Miqtë e mi, ju e kuptoni shumë mirë pse ndodhi kjo!
A mos vallë ka pazare apo negociata përgjatë natës së fundit të afatit për t’u regjistruar nga KQZ? Këtë e di vetëm Flamur Noka dhe koha që jam i bindur se do më japë të drejtë mua dhe krejt Elbasanit, për të cilën ai ka hedhur poshtë demokracinë për votën e lirë ndaj një fryme të re dhe një të riu që pati mbështetjen më të sinqertë nga familjet e Elbasanit.
Është për të ardhur keq që figura të tilla si Flamur Noka tremben nga mbështetja që ka një njeri i ri në politikë dhe fillojnë sulmet që të kenë mundësi të bëjnë lirisht dallaveret e tyre dhe nuk pretendojnë fitoren, por kërkojnë humbjen në zgjedhje.
Prandaj, për të mos rënë ndesh për parimet e mia për DEMOKRACI REALE, kërkoj nga ana juaj që të mbështesni Partinë Demokratike dhe Prof. Dr. Sali Berishën, sepse unë do të jem pjesë saj gjithmonë, qoftë apo nuk është ai (Flamuri) pjesë e saj.
Mirënjohje të thellë për ju, pasi ju më bëtë të jem i zgjedhuri juaj me tempullin e demokracisë dhe detyrimi im është të jem zëri juaj kudo dhe gjithmonë, pavarësisht se Flamuri nuk është dakord!
Respekte dhe faleminderit nga zemra!
Komente
