Deputeti Dashamir Shehi ishte i ftuar këtë të martë (4 mars 2025) në Frontline me Marsela Karapançon në Report Tv.
Shehu foli për programin e koalicionit Djathatas për Zhvillim, i cili përbëhet nga partia që ai drejton, LZHK, dhe Djathtas 1912 e Enkelejd Alibeajt.
Gjithashtu, deputeti sqaroi edhe pse u vonua në KQZ kërkesa për regjistrimin e koalicionit në zgjedhjet e 11 majit.
“Pritëm që të vinte ndoshta edhe grupi i zotit Basha, grupi i thurjes e këto. Dëshira ka qenë, sidomos e imja, por jo vetëm e imja, edhe e kolegëve të tjerë, që të bëhemi sa më shumë sepse prodhohet sinergji politike dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe nga ana pragmatiste”,- tha Shehi.
“’Kush do ta drejtojë koalicionin?’, ‘Duhet të jemi ne se ne jemi më shumë.’ Praktikisht për çikërrima sepse tezat që na ndajnë janë hiç fare, s’ka asnjë gjë”,- shtoi ai.
Koalicionin Aleanca për Shqipërinë Madhështore, mes Partisë Demokratike dhe 25 partive të tjera, Shehu e cilësoi plan të Sali Berishës për të shfrytëzuar imazhin e aleatëve dhe për t’u dukur sikur kontrollon të gjithë opozitën.
“I duhet imazhi i aleatëve. Ideja që ky e kontrollon të gjithë opozitën”,- tha Shehi.
“Ato aleatë që nuk i duhen nuk i ka futur fare. Nga kjo pikëpamje Berisha është një mjeshtër i madh dhe e ka kolauduar këtë lloj procesi me vite. Që t’i mbajë varur, që të mos shkojë te pala tjetër. Sepse ti duke hyrë në primare të vjen nesër turp që të shkosh diku tjetër sepse t’i hyre e provove”,- shtoi ai.
Si shumë politikanë opozitarë, edhe deputeti Shehu e cilësoi farsë procesin e primareve në Partinë Demokratike, duke theksuar se listat e deputetëve do të ndërtohen sipas dëshirës së Berishës dhe jo meritokracisë që buroi nga primaret.
“Absolutisht një teatër. Primaret duhet të përfundonin tek lista e sigurtë. Ato nuk përfundojnë aty”,- theksoi Shehi.
Komente

Politikan shume I konsumuar do digjet Kete here nga politika , gjithsesi respekte per kontributin ama ska vend ne parlament
Përgjigju