Dashuri në moshën 70-vjeçare, Alfred Trebicka si protagonist i “Para perëndimit”: Liria e individit triumfon!

13 Prill, 11:47| Përditesimi: 13 Prill, 11:55

  • Share

Është vepra e fundit e nobelistit gjerman Gerhart Hauptmann që propozohet gjatë këtij muaji në teatrin Metropol. 4 aktet e dramës “Para perëndimit” vijnë në regjinë e çiftit Andia Xhunga dhe Indrit Çobani. Historia e 70-vjeçarit pasanik Matthias Clausen, që tre vjet pas humbjes së bashkëshortes dashurohet me një vajzë 30-vjeçare vjen me lojën e aktorit Alfred Trebicka. Mesazhi që trajton autori i mëshon lirisë individuale për të zgjedhur.

“Impakti i parë me veprën ka qenë i jashtëzakonshëm , fantastik. Sepse Hauptmann në të vërtetë ka qenë një romancier i madh. Unë njihesha me vepra të tij të tjera dhe “Para perëndimit” është gjithashtu një kryevepër e dramaturgjisë botërore”, thotë aktori protagonist në shfaqje Alfred Trebicka.

22 aktorë e figurantë në skenë dhe mbi tre muaj prova për të përcjellë mesazhin e Hauptmann. Trebicka tregon se bashkë me regjisorët kanë bërë 3 muaj prova intensive, ndonëse puna për të si aktor nis më herët, me procesin kërkimor rreth personazhit të tij.

“Ka qenë një periudhë intensive kontaktesh për elaborimin, analizën, për t’i hyrë në të gjithë thellësinë dhe për të kuptuar më mirë atë delikatesën e veprës. Vepra është shumë delikate qoftë në aspektin profesional, ashtu edhe në atë social dhe atë psikologjik, një fije shumë e lehtë ty të çon në një drejtim krejt tjetër dhe kjo ishte një nga fokuset kryesore qoftë me regjisorët ashtu edhe me trupën për ta sjellë në këtë shtrat dhe në këtë qasje që është dhe ajo më e shëndetshmja, për të gjetur lirinë e qenies, të individit”, thotë më tej aktori.

Për këtë dashuri, ndonëse me diferenca sociale dhe në moshë, pengesat e vërteta  lindin kur familja e Matthias e shikon Inken Peters, që interpretohet nga Ilirda Bejleri, si kërcënim për trashëgiminë.

“Përballja e këtyre dy filozofive në vepër është ai promotori i brendshëm që ka vepra linja e dashurisë. Pra, përballja me pjesën materiale të pjesës tjetër të familjes, që sigurisht është e manipuluar nga ata që janë më të interesuar për këtë pjesë materiale(nusja dhe dhëndri i familjes). Dhe një nga shtyllat e veprës është përballja e këtyre dy mendësive apo dy filozofive, ku sigurisht pavarësisht se fundi i Matiasit është tragjik, triumfon mendimi ose filozofia e tij, që një të drejtë për të vendosur, ose lirinë e individit ti mund ta pengosh vetëm në këtë rrugë dhe është po prapë ai që bën zgjedhjen e destinës së vet”, shprehet Trebicka.

Nëna e Inken e luajtur nga Yllka Mujo mban një peshë të fortë të lojës interpretative. Ndërsa Elia Zaharia erdhi në rolin e Betinës, vajzës së “preferuar” të Matias, që ka një lidhje të fortë me të atin. Ndonëse me rol periferik, shfaqja shënon rikthimin edhe për aktorin Genc Fuga.

Drama do të vijojë të shfaqet në teatrin “Metropol”.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?