“Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” në teatër, regjisori: Tema e virgjërisë është tabu edhe tek intelektualët

4 Prill 2019, 15:57| Përditesimi: 4 Prill 2019, 16:24

  • Share

Monodrama “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” e autorit Ridvan Dibra ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Regjisori Ben Apolloni sjell nën lojën e aktores Arjola Demiri, historinë e Madalenës, tri fazat kyçe, të jetës së një gruaje. Regjisori rrëfen se“Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” është një shfaqje që provokon, duke pasur në qendër dashurinë e një virgjëreshe, por edhe që vazhdon të jetë shumë aktuale në shoqërinë shqiptare. 

 “Kjo temë është ende tabu, njoh shumë njerëz me shkollë të lartë, që për këtë punë flasin, ashtu sikundër ka thënë një filozof evropian, “sa keq që nderin e një femre e vendosin dy gisht larg anusit”. Edhe në këtë kohë për fat të keq, ne ende e vlerësojmë femrën kështu”, thotë regjisori Ben Apolloni.

Madalena përgjatë një ore, e bukur, e sinqertë edhe herë-herë naive, sjellë para publikut historinë e grave shqiptare nëpërmjet lojës së saj. Dëshira e saj është që publiku të arrijë të kuptojë, se sa e vështirë është të jesh grua në Shqipëri.

 “Tema e virgjërisë ka qenë temë tabu, ka qenë pika më e fortë tek malësorët, për ta nderi ishte aty. Kam dashur që ta thyejë këtë temë tabu, sepse femra vlen përtej asaj, ka arritje në shkollë, në punë, si nënë, si grua. Shpeshherë një virgjëri e humbur në momentin e gabuar do të bëhet shkas që të të paragjykojnë gjatë gjithë jetës, edhe nëse ti vlen. Kjo bëhet shkas, që dikush të të shikojë me syrin e një femre të përdalë. Duhet thyer kjo temë. Njerëzit duhet që ta vlerësojnë femrën për arritjet që ka, jo për virgjërinë”, shprehet Arjola Demiri. 

Shfaqja do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperimental në datë 6 dhe 7 prill.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?