Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez

Bota

Dasma e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez në Venecia, sot ‘Po-ja‘ midis të famshmëve dhe protestave! Lady Gaga, Elton John dhe pista e vallëzimit ‘mbi‘ ujë

27 Qershor, 09:47| Përditesimi: 27 Qershor, 09:54

  • Share

Hollywood, Wall Street dhe Shtëpia e Bardhë. Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez nuk lanë gjë pa përfshirë në “Yes I do”-n e tyre, të thënë fillimisht një muaj më parë në SHBA dhe që do ta përsërisin sot në Venecia. Mbi 250 të ftuar, që përfaqësojnë elitën globale të showbiz-it dhe pushtetit, po mbërrijnë në Ishullin San Giorgio, mes basenit të Shën Markut dhe Lidos, një vend jo rastësisht simbolik për kinemanë dhe financën.

Ceremonia dhe pritja do të zhvillohen në Teatro Verde, një amfiteatër i njohur prej mermeri të bardhë nga Vicenza, i vendosur në një pyll me pisha bregdetare. Për të mbërritur atje, kortezhi dasmor, pasi do të zbresë nga 35 taksi ujore, do të kalojë nëpër dy klostrat e Fondacionit Cini dhe kopshtet italiane të famshme për labirintin me gardhe të dedikuar Borges-it. Prej ditësh Teatro Verde është mbuluar me çadra të bardha, për privatësi dhe për t’u mbrojtur nga stuhitë e paralajmëruara të mbrëmjes.

Në rast shiu, pritja do të zhvendoset në refektoriumin e manastirit të lashtë, ku ndodhet një kopje e "Dasmës në Kanë" nga Paolo Veronese – origjinali, i grabitur nga Napoleon, ndodhet në Louvre. Pas teatrit, në drejtim të Lidos, është ndërtuar një pistë gjigande vallëzimi mbi ujë: pikërisht aty, nën yje, Bezos dhe Sanchez do të hapin vallen, pas një darke të përgatitur nga tre shefa me yje Michelin nga Italia dhe Franca. Për koncertin është ftuar Matteo Bocelli, djali i Andrea Bocellit, që do të shkojë nga Pompeia pas një angazhimi tre ditor.

Torta e dasmës dhe ëmbëlsirat do të jenë po aq mbresëlënëse, të servirura deri në agim. Për to është thirrur nga Parisi Cédric Grolet, shef pastiçerie i Alain Ducasse dhe yll i rrjeteve sociale: në menu, tortat e tij të famshme në formë lulesh dhe frutash. Ende nuk është bërë zyrtar fustani i Lauren Sanchez, ndërsa Jeff ka zgjedhur një kostum të firmës Armani. Ajo ka dy opsione: një Dolce&Gabbana dhe një nga Oscar de la Renta, i sugjeruar nga mikja e saj Oprah Winfrey.

Finalja madhështore pritet të jetë një spektakël fishekzjarrësh drejt Shën Markut, të sinkronizuara me muzikë. Nuk është shuar ende jehona e pritjes së parë, e zhvilluar në klostron e kishës Madonna dell’Orto. Deri para mesnate, kur një stuhi nisi largimin e varkave drejt jahteve dhe hoteleve luksoze, muzika dhe ushqimi italian krijuan një atmosferë mes romantizmit dhe stilit “trattoria”.

Kolona zanore e mbrëmjes përfshinte këngë të Mina-s, Modugno-s, Albano-s dhe Romina-s ("Felicità", padyshim), si dhe Peppino di Capri. Në pjata, specialitete napolitane dhe siciliane: pica, fërgime perimesh dhe deti, arancini nga Palermo, e gjithë panorama e “street food”-it të Jugut.

Për sigurinë u kujdesën qindra forca policore që bllokuan rrugica e kanale të një pjese të lagjes Cannaregio, si dhe 40 agjentë të policisë bashkiake të punësuar direkt nga z. Amazon, përmes një donacioni prej 50 mijë eurosh.

Para dasmës së mbrëmjes, programi i ditës parashikon shëtitje të tjera në lagunë dhe një mëngjes në kopshtin me pishinë të Villa Baslini, vend i dashur për Hemingway, vetëm një urë larg Torcello-s. Të ftuarit mund të vizitojnë edhe dy furrat më të njohura të xhamit në Murano, të rezervuara enkas: ajo e Fabiano Amadi, ku Bezos ka blerë një futboll tavoline prej xhami, dhe ajo e Massimiliano Schiavon, e hapur të enjten për shopping-un e Ivanka Trump, që lejoi nipërit e presidentit të improvizoheshin si artizanë duke fryrë rruaza ngjyrash.

Për yjet dhe miliarderët e lodhur nga dollitë janë të hapura ambientet luksoze të hotel Cipriani Belmond në Giudecca, ku prej dy ditësh qëndrojnë Leonardo DiCaprio dhe e dashura e tij, modelja Vittoria Ceretti. Mendja e të gjithëve, sapo të përfundojë dasma më e pasur ndonjëherë, është te festa e madhe përmbyllëse.

Pasi u refuzua për arsye sigurie dhe politike Scuola Grande della Misericordia, u vendos që eventi final të zhvillohet në Arsenale – ish-fortesa ku Republika e Venedikut ndërtonte anijet e saj luftarake. Prej ditësh aty po transferohen skenografia e pritjes më glamuroze: përballë hyrjeve, pranë luanëve prej guri, janë grumbulluar kutitë, karriget, tavolinat, lampat, rekuizitat e një feste me kostume të stilit të shekullit XVIII. Brenda janë vendosur edhe dy piano të mëdha, për një duet legjendar mes Lady Gaga dhe Sir Elton John, që do të regjistrohet.

Për t’i bindur, është ofruar nga një milion paund secilit. Do të jenë hitet e tyre që do të përshëndesin Venedikun dhe grupin më të madh të pushtetarëve dhe yjeve të mbledhur ndonjëherë për një martesë: mes tyre Bill Gates dhe Mark Zuckerberg (i fshehur në hotelin Danieli), fëmijët e Trump, mbretëresha Rania e Jordanisë me princin Al Hussein dhe princeshat Rajwa e Iman, gjithë klani Kardashian, “beqarët e artë” Orlando Bloom (në krizë me Katy Perry), Tom Brady dhe Scooter Braun, gazetaret Oprah Winfrey dhe Gayle King, si dhe gjithnjë e pranishmja Diane von Furstenberg.

E vetmja pikëpyetje që mund të prishë festën: protestat dhe aksionet e aktivistëve të lëvizjes “No Space for Bezos”. Mbrëmjen e kaluar, pas një dite me tensione dhe ndalime, ndodhi performanca e fundit anti-sistem: një lazer i gjelbër projektoi në kambanoren e Shën Markut mesazhet “Fuck Oligarchs” dhe “No Kings No Bezos”. Po aty u shfaq edhe njoftimi për protestën e nesërme: nisje nga stacioni i Santa Lucia në orën 17:00 dhe tubim përfundimtar pranë urës së Rialtos./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?