Rituali i dasmës shkodrane së bashku me këngët dhe vallet e saj mbetet një prej pasurive më të çmuara jomateriale të qytetit andaj ajo u risolli edhe njëherë në vëmendje për vlerat muzikore dhe etnografike që bart. Kësaj here Bashkia e Shkodrës çeli dyert për të pritur "dasmorët" që pushtuan hollin e saj në eventin "Ardhshi t'bardhë n'ahengun tonë".
Në rolin e çiftit dhe ahengxhijve të dasmës ishin artistët e qytetit, pjesë e Qendrës Kulturore "Pjetër Gaci" të cilët sollën atmosferën e një dasme tipike shkodrane ku nuk mungonin as elementët e pajës apo gostitjes me ëmbëlsirat tradicionale.
“Rituali i dasmës siç ka qenë një herë e një kohë është risjellë nga grupi i të rinjve”, tha Amila Gjyrezi Drejtore e Kulturës në Bashki.
Aktiviteti u realizua nga “Nucleus Albania” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Shkodër. Synimi i tij është promovimi i pasurisë së vlerave të trashëgimisë kulturore.