Dasmë pa distancim dhe muzikë pas orës 20:00! Gjobiten disa lokale në Tiranë dhe Durrës

25 Korrik 2020, 11:36| Përditesimi: 25 Korrik 2020, 14:51

  • Share

TIRANE-Policia e Shtetit pas kthimit të aktit normativ në ligj ka zbritur në terren duke nisur me gjobat. Në Durrës dhe në Tiranë janë gjobitur disa lokale. Në Durrës janë gjobitur 10 lokale te Shkëmbi i Kavajës dhe një lokal dasmash, ndërkohë që në Tiranë janë ndëshkuar me masë administrative 4 lokale, pasi nuk ndaluan muzikën pas orës 20:00. Akti Normativ parashikon ndalimin e muzikës pas orës 20:00 dhe mbylljen klubeve të natës për të parandaluar përhapjen e COVID-it.

Ora 11:31
Nuk ndaluan muzikën pas orës 20:00, gjobiten 4 lokale nate në Tiranë

Katër lokale janë gjobitur me nga një milion lekë në Tiranë, pasi nuk respektuan aktin normativ për të ndaluar muzikën pas orës 20:00.

"Policia ka gjobitur me nga 1 milion lekë, 4 subjekte që ushtronin aktivitet të shoqëruar me muzikë, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 30, datë 20.07.2020, neni 3, pika 7/2, “Në çdo mjedis shërbimi ndalohet muzika pas orës 20:00”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 4 subjekte në zona të ndryshme të Tiranës, të cilat vijonin aktivitetin të shoqëruar me muzikë të lartë.

Në përfundim të veprimeve të para u mor masë administrative gjobë 1.000.000 lekë, për secilin nga 4 subjektet e konstatuara në shkelje të Aktit Normativ.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19" thotë policia e Tiranës.

Ora 11:06
Bëri dasmë pa distancim mes të ftuarve, gjobitet lokali në një fshat të Durrësit

Pronari i një lokali në Durrës është gjobitur me një milion lekë gjobë, pasi ka organizuar një dasmë në kundërshtim me aktin normativ kundër përhapjes së COVID-it.

Policia thekson se gjatë kontrolleve evidentoi në fshatin Shkallnur një lokal që kishte organizuar dasmë në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar distancën e sigurisë midis personave. Administratori me inicialet G. H. është gjobitur me një milionë lekë.

Policia e Durrësit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Ora 09:50
Kontrolle për muzikën dhe zbatimin e masave të Shkëmbi i Kavajës, policia gjobit 10 subjekte

Mbyllja e lokaleve dhe zbatimi i masave anti-COVID ka bërë që policia e Durrësit gjatë mbrëmjes së kaluar të ushtrojë kontrolle  në disa subjekte që gjenden në zonën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës.

Nga kontrollet rezultoi se jo të gjitha bizneset apo subjeket i respektojnë masat dhe për këtë arsye janë marrë masa. Sipas burimeve për 10 subjekte janë vendosur gjoba sipas aktit normativ.

Fatmirësisht në ditët e fundit zonat bregdetare kanë patur një numër më të vogël rastesh në raport me zonat e tjera, por autoritetet po përpiqen ta ruajnë këtë raport.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?