Meta nis bisedimet me palët, zgjedhjet lokale 2019 në 23 ose 30 qershor

31 Tetor 2018, 10:58| Përditesimi: 31 Tetor 2018, 15:16

  • Share

TIRANË- Zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen ose në 23 qershor, ose në datën 30 po të këtij muaji.  Presidenti i Republikës, i cili ka autoritetin kushtetues për dekretimin e datës së zgjedhjeve, i diskutoi këto data me partitë parlamentare.  Numri dy i socialistëve, Taulant Balla duket se preferon 23 qershorin, dhe përmend si argument kërkesën e operatorëve turistikë. 

Zgjedhjet do të jenë mes dy të dielave të fundit të qershorit. Ne nuk propozuam një datë, por kujtuam një kërkesë të operatorëve turistikë që zgjedhjet të mos jenë afër kulmit të sezonit.

Taulant Balla, Kreu i Grupit të PS

Edmond Spaho hyri e doli me makinë, pa lënë mundësinë që media ta pyeste nëse PD do të hyjë apo jo në zgjedhjet e ardhshme, apo nëse preferonin ndonjë datë për betejën lokale. 

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha se partia e tij kërkon garanci për standardet zgjedhore e moskapjen e tyre nga krimi. 

Për ne nuk është e rëndësishme një datë, por standardi i zgjedhjeve dhe ndarja e tyre nga ndikimi i bandave.

Luan Rama, Nënkryetar i LSI

Presidenti ka edhe disa ditë kohë nga afati kushtetues deri në caktimin e datës kur në 61 bashkitë e vendit qytetarët do të zgjedhin kryetarin dhe këshilltarët bashkiakë. 

Ora 13:43
Zgjedhjet lokale/ Luan Rama: Nuk është problem data por ndërhyrja nga grupet kriminale

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me palët politike për përcaktimin e një date për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Pas Ballës dhe Spahos, Presidencën e vizitoi edhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, i cili në një prononcim për mediat u shpreh se data e tyre nuk ishte problem por problemi për të qëndon tek ndërhyrja e grupeve kriminale në votë.

Unë ndava shqetësimin e LSI-së se problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është data, por pastrimi i zgjedhjeve nga interferenca dhe lobimi nga grupet kriminale. Problem ka qenë dhe blerja e zgjedhjeve dhe ka qenë në kolaps. Ky vend i mbytur nga informaliteti nuk ka nevojë për zgjedhje formale, por për zgjedhje reale që të shprehen vullnetin qytetar dhe jo kriminal. 

Luan Rama, nënkryetar i LSI-së

Ora 11:37
Zgjedhjet lokale 2019, Balla zbulon datën: Dy të dielat e fundit të qershorit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zbuluar ditën e sotme pas takimit që pati me Presidentin Meta, se dy datat më të mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Balla tha se dy datat janë dy të dielat e fundit të qershorit 2019, që janë 23 dhe 30 qershor.

Duke falenderuar presidentin e Republikës, për vijimësinë e një tradite shumë-vjeçare për dekretimin e datës së zgjedhjeve, zhvilluam një bisedë me presidentin Meta. Kodi Zgjedhor është i qartë, për përcaktimin që në sezonin zgjedhor prill maj-qershor, është cituar, 2 të dielat e fundit të qershorit si dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Ka patur nga operatorët turistikë një datë më të hershme nga fundi i qershorit, por kjo është një çështje, që arrihet me dakordësi. S’kemi biseduar me opozitën.

Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?