‘Databaza pengesë?’, Nador Bakalli: Arsyetimi i Ramës absurd, votimi i diasporës me postë mënyra më e pranueshme! Kume: Jemi në kohë, por s'do politika

9 Shkurt, 18:23| Përditesimi: 9 Shkurt, 22:59

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar një ditë më parë se mungesa e një databaze me të dhënat e të gjithë shqiptarëve jashtë vendit është pengesa më e madhe për realizimin e votimit nga ana e tyre në vendet ku jetojnë.

Në një lidhje skype për “Studio Live” në Report Tv Nador Bakalli, themelues i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” i cilësoi absurde deklaratat e Ramës, duke nënvizuar disa nga mënyrat sesi mund të votojë diaspora.

“Arsyetimi i Ramës se përse nuk bëhet dot vota e emigrantëve është absurde. Mënyra më e mirë për ta bërë votimin është ajo që aplikon pjesa më e madhe e vendeve të botës. Votimi fizik nëpër seli diplomatike, mundësi të votimit elektronik, me postë, apo votimi hibrid. Edhe si palë fituese në gjykatë për këtë çështje, mënyra më e mirë është me postë. Votimi elektronik aplikohet vetëm në Estoni. Vendet e tjera nuk e aplikojnë për shkak të ndërhyrjes në sistem. Mundësimi i votimit me postë është mënyra më e pranueshme. A ka mangësi e dyshime, padyshim që ka por besojmë se duhet filluar diku. Që kur kemi filluar të merremi me këtë punë kemi ushtruar presion. Ka kongresmenë që i kanë kërkuar qeverisë shqiptare votën e diasporës. Do vazhdojmë presionin tonë me të gjitha format.”

Kritika Bakalli pati edhe për qëndrimet e opozitës.

"Ka disa elementë të caktuar të opozitës që thonë se nuk e mundësojmë votën e diasporës se na e hedh Rama. Në emër të perfeksionit sakrifikojnë procesin. Ne jemi kundër. Procesi mund të ketë probleme. Kosova në vitin 2011 ka votuar për herë të parë diaspora. Ne bëjmë 112 vjet shtet dhe nuk kemi votë diaspore. Procesi është jo vetëm i vonuar por realitet i pakthyeshëm. Fakti që të gjithë flasin për këtë proces është drejt rrugës për t’u bërë."

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume u shpreh se jemi në kohë për ta realizuar “votën e diasporës por shtoi se mungon vullneti nga politika”. Si metodën më të mirë ai përmendi votën nëpërmjet postës.

“Për mua është gjetje me vend ajo e përgatitur në draftim e diasporës për votimin nëpërmjet postës. E gjithë kjo nuk vjen se nuk dinë si ta bëjnë, por nuk duan ta bëjnë. Si maxhoranca dhe opozita i tremben votës së atyre që nuk i kontrollojnë dot”.

Cili mund të jetë modeli më i mirë për votën e emigrantëve?

"Unë do t’u rekomandoja të lexoni projektin e dërguar nga përfaqësues të diasporës dhe që për mendimin tim është në plotësim të asaj që kërkon dhe pse dhe si duhet të realizohet vota nga jashtë vendit. Jo vetëm për emigrantët por edhe për qytetarët që ditën e votimit ndodhen jashtë Shqipërisë. Nuk e kushtëzojnë të drejtën për të votuar nga jashtë territorin e vendit me regjistrimin e banesës ku jeton... të cilin siç e lancuat dhe ju zoti Rama e konsideroi si faktor pengues për të realizuar në 2025 votën e emigrantëve. Të dy draftet në Kuvend e kanë përjashtuar këtë gjë. Të dy draftet kërkojnë që të realizohet", shtoi Kume.

Ora 18:56
Nador Bakalli: Jemi kundër një zone zgjedhore, vota ime dhe e 1.7 mln shqiptarëve të diasporës e barabartë me ata që jetojnë në Shqipëri

 

Diaspora kërkon të votojë në zgjedhjet e 2025. Nador Bakalli, themelues i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” në një intervistë për “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report TV tha se janë 1.7 milionë shqiptarë bashkë me të që kërkojnë ta ushtrojnë këtë të drejtë. Ndërkaq u shpreh kundër propozimit për një zone zgjedhore.

“Në draftin tonë ne propozojmë që mënyra e votimit të jetë aty ku personi ka pasur regjistrimin e fundit në Shqipëri përpara se të largohej. Unë që i përkas qarkut të Tiranës vota ime të numërohet për qarkun e Tiranës. Dy gjëra të tjera unë dua të shtoj. Idea e një zone të veçantë për diasporën nga ne është kategorikisht e përjashtuar dhe madje e denoncuar sepse shkel atë që quhet parimi i barazisë së votës dhe që është parim kushtetues. Vota ime si Nador apo e 1.7 milion shqiptarëve që janë në diasporë nuk mund të limitohet në një numër të caktuar deputetësh duhet të ketë barazi midis votës time dhe votës së personit që ndodhet atje. Ne e kemi përjashtuar dhe denoncuar këtë”.

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 10/02/2024 03:41

    /ARJAN/,e njohim realitetin shume mire,bile me mire se sa ju,se nuk jemi pengje te politikes dhe nuk e kemi braktisur dhe diaspora vazhdon te punoje per vendin duke derguar remintanca.Ku do te ishte ekonomia shqiptare pa remintancat dhe pa emigrantet qe vijne cdo vit per pushime e festa e ndihmojne ekonomine e vogel te vendit dhe pa investimet e tyre?!Por Rama te mos fleje ne dafina se do t'ua hedhe emigranteve, se ka GJK,por po nuk u bind dhe me te,ka dhe Strasburg!

    Përgjigju
  • arjan: 09/02/2024 21:04

    Nuk duhet te vendosin per fatin e shqipetareve ata qe e kane braktisur vendin sepse nuk e njohin realitetin prandaj kjo nuk eshte e drejte.Kush te doje le te kthehet ashtu sic kan bere shum te tille te punojne dhe te votojne.Njohja e realitetit eshte paresore te tjerat jane bla,bla,bla.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?