Davide Ancelotti është zyrtarisht trajneri i ri i Botafogos, duke nisur kështu një kapitull të ri dhe të pavarur në karrierën e tij.
Pas ditësh me spekulime, klubi brazilian ka bërë zyrtare marrëveshjen me teknikun italian, i cili ka lënë stafin e kombëtares braziliane, ku ishte ndihmës i të atit, Carlo Ancelotti, për të provuar veten si trajner i parë. Kontrata e Ancelottit të ri është e vlefshme deri në fund të sezonit 2026.
Në njoftimin e klubit thuhet: “Botafogo zyrtarizon Davide Ancelottin si trajnerin e ri të ekipit të parë. Italiani nënshkroi me klubin deri në fund të sezonit 2026.”
Davide mbërriti në aeroportin Galeão në Rio de Janeiro dhe nisi menjëherë punën me skuadrën. Ai do të ketë në krah një staf ndërkombëtar që përfshin spanjollin Luís Tevenet, britanikun Andrew Mangan dhe përgatitësin fizik italian Luca Guerra.
Ky është hapi i parë i madh i Davides si trajner i parë, pas një karriere të gjatë si ndihmës i babait të tij në disa nga klubet më të mëdha në Evropë, si Real Madrid, Everton, Bayern Munich e Napoli. Me këtë lëvizje, ai synon të ndërtojë identitetin e tij profesional në një nga kampionatet më konkurruese të Amerikës Latine.
Komente
