Bota

Davide Pecorelli: Kam vendosur të kthehem në Shqipëri dhe të përballem me burgun! Duhet të paguaj për krimet që kam bërë në Pukë

12 Nëntor 2021, 11:54| Përditesimi: 12 Nëntor 2021, 15:18

  • Share

Në Itali jeton i lirë, por është i gatshëm që të kthehet në Shqipëri dhe të përballet me drejtësinë për skenarin e realizuar si në filma, të vdekjes së sajuar të tij për t’i shpëtuar borxheve si pasojë e falimentit në biznese. Sipërmarrësi Davide Pecorelli ka thyer heshtjen duke folur për gazetën italiane “La Nazione”.

“Jam gati që të bëj burg në Shqipëri. Nëse dënimi është i drejtë, unë do të paguaj për atë që kam bërë. Nëse kjo më jep mundësinë të jem qytetar i lirë edhe në Shqipëri, atëherë jam gati për çdo gjë”, shprehet Pecorelli.

Prokuroria e Pukës pritet të dërgojë dosjen e tij në gjykatë së shpejti me akuza që mund ta çojnë në burg, të zjarrvënies dhe vjedhjes së eshtrave njerëzore, të cilat i futi në makinën që kish marr me qira dhe e dogji për të inskenuar vdekjen në janar të këtij viti.

“U kam kërkuar falje të gjithëve në Shqipëri, përfshi edhe kryebashkiakun e Pukës dhe në çdo rast të gjithë komunitetit. Fatkeqësisht kam bërë disa gabime: Kur mbërrita në Tiranë në janar, po kaloja një moment shumë të vështirë në jetën time. U përpoqa të bëja vetëvrasje dhe prifti që takova rastësisht në Medjugorje më shpëtoi. Do i jem mirënjohës përgjithmonë” thotë sipërmarrësi italian.

Ai tregon se flet me miqtë që bëri në Vlorë, ku ndenji për disa javë pasi u zhduk, derisa u zbulua më 17 shtator ku u gjet në një gomone pranë ishullit Montecristo.

" Në fillim nuk më besonin, por tani më kërkojnë vazhdimisht për të shkuar atje", tregoi ai.

Por çfarë ka në plan që të bëjë tani Pecorelli?

“Synimi im është të themeloj një shoqatë për të mbështetur ata që, si në rastin tim, po përballen me krizë për shkak të punës”, shton ai.

Pecorelli këmbëngul se i ka parë dy arkat me monedhat e arit në Monte Kristo dhe se i ka njoftuar hetuesit për vendin e zbulimit.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?