Davosi, të pamundurit dhe 'inati' i shqiptarëve

28 Janar 2023, 10:04| Përditesimi: 28 Janar 2023, 10:07

  • Share

Ka një perceptim, i cili merret më së shumti nga autoritetet ekonomike-financiare, që sa më shumë të pasur dhe masivitet VIP-ash do ketë në Davos, aq më i parëndësi do bëhet ai. Në fakt, toponimi gjeografik Davos, vend aq i njohur skish, e që prej vitesh nënkupton Forumin Ekonomik Botëror (WEF), është një vend ku qeveritarë, liderët më të mëdhenj të kohës, autoritete financiare, VIP-a dhe plot personalitete të fushave të ndryshme mblidhen në një aktivitet luksi ku parashtrohen sfida. Ky është statusi zyrtar.

Hidhur. I thartë është reagimi mediatik për të nga viti në vit. “Unë mendoj se Davos është krejtësisht i parëndësishëm”, u shpreh pak ditë më parë Rana Foroohar, një kolumniste e “Financial Times”, libri i së cilës “Homecoming” po argumenton se një lloj ndryshimi i ri drejt lokalizmit po i zhvendos krejt forcat e globalizimit, aq dominuese gjatë gjysmëshekullit të fundit, citojmë CNN. Në aspektin zyrtar, WEF mëton se konferenca e saj e përvitshme u lejon vendimmarrësve të krijojnë hapësira ndërlidhje dhe të bashkëpunojnë, një sfidë e vërtetë për këto koha kaq të turbullta, ndërsa ata (lexo kokat më të mençura të botës) të tregojnë se do luftojnë njëkohësisht: krizat si pandemia, koston në rritje të jetesës, ndryshimet klimatike, pasigurinë ushqimore dhe luftën. A ka ndonjë sens optimizmi, pas çdo vit, kur mblidhet? Me keqardhje, por duket se është i pamjaftueshëm dhe jo pak cinik. Ekonomia botërore po hyn në një tjetër vit në radhë problematik. Viti 2023 parashikon një rritje ekonomike botërore për vetëm…1.7 për qind! Të mendosh se edhe 2022 ishte vetëm 3.2 për qind e kupton se në çfarë hullie po futemi.

A ju thotë diçka DAVOS 2023?-pyesnin në median e huaj. Po, një raport i OXFAM, publikuar në mesin e janarit e tregonte hapur cinizmin e kohës, ku 1 përqindëshi më i pasur i botës ka përfituar gati dy të tretat e pasurisë së krijuar që nga viti 2020, një shifër e frikshme e cila arrin në rreth 42 trilion dollarë. Specialistët “e thjeshtojnë” shifrën: Është pothuajse dy herë më e madhe se pasuria që shtoi 99 për qind e popullsisë së botës!

“Vetëm ndërveprimi personal krijon nivelin e nevojshëm të besimit, për të cilin ne kemi kaq shumë nevojë në këtë botën tonë plot probleme”, tha pak a shumë në një konferencë shtypi shefi i WEF-it Klaus Schwab, themeluesi i këtij aktiviteti kaq të gjetur (për të gjeneruar para për organizatorët), ku shpalli dhe moton e këtij viti: “Bashkëpunim në një botë të fragmentuar”.

Veçse, bota në të cilën lulëzoi dikur Davosi tashmë po shpërbëhet dhe samiti ka shumë më pak peshë sesa në fillimet e çerek shekulli më parë, ashtu si edhe vetë epoka e globalizimit po merr përgjigje pafund negative.

Por, elitat që mblidhen në këtë mrekulli alpesh pak u duhet. Përgjigja: për herë të parë në 25 vjet pasuria ekstreme dhe varfëria ekstreme janë rritur njëkohësisht. Veçse, Davos është bërë disi më demokratik sa i përket qasjes mediatike dhe pranisë së gazetarëve, që kanë mundësi të ndjekin “live” ose të intervistojnë anëtarët e elitave apo VIP-at, për të cilët gjatë vitit kalendarik duhet kohë, një PIAR i tërë, që t’i menaxhosh në intervista.

E kjo e ka një të mirë jo të vogël: gazetarët kanë pasur mundësi t’ia përplasin shqetësimet publike “live” drejtorit ekzekutiv të kompanisë farmaceutike “Pfizer”. Një nga gazetarët i këmbënguli para fytyrës për një përgjigje se pse u mbajt fshehur fakti se vaksina kundër COVID-19 nuk i mbronte pacientët nga ripërballja me infektimin. “Në fillim keni thënë se është 100 për qind efektive, më pas 90, 80, 70%… e tani që dihet se ajo nuk mbron nga riinfektimi, pse e mbani ende të fshehtë”, insistonte gazetari në fytyrën pa shprehje të autoritetit të “Pfizer”. Ishte kjo por edhe shumë përballje, që i bën të dobëtit, si edhe të pamundurit (që mbeten edhe më të pambrojtur) të kuptojnë se nuk kanë shumë shpresa. Çdo vit, të ashtuquajturat autoritete ekonomike luajnë me rregulla të ndryshme, kompanitë po modifikojnë zinxhirët e furnizimit gjithnjë e më pranë lokaliteteve të tyre; paqartësia në përballjen me Rusinë po shtohet; ndërkohë që drejtuesit e korporatave që dikur lavdëronin tregtinë e lirë duken gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj rreziqeve gjeopolitike në rritje, referuar mediave të specializuara. Dhe është më se logjike, që pandemia dhe sidomos agresioni i Rusisë mbi Ukrainën po na mësojnë se zinxhirët e furnizimit duhet të jenë sa më të sigurt dhe sidomos gjeografikisht sa më afër.

BALLKANASIT DHE SHQIPTARËT

Po sa mund të bashkëpunojmë ne në DAVOS? Liderët e Ballkanit ishin të gjithë atje. Dhe, përgjatë viteve të fundit kryeministri Rama ka qenë i pranishëm, ashtu si Berisha në kohën e tij. Por, ballkanasit impenjimin e kishin më së shumti të tregonin supremacinë dhe protagonizmin. Vuçiq duke u qarë vazhdimisht për të ardhmen; Rama për të treguar gjerësinë e rrokjes së problemeve në panelet ku mori pjesë; Kurti me patetizmin e zakonshëm të ngrirë. Si për ta bërë edhe më të lodhshëm, serbët u përballën me një qesëndi të pastër nga mënyra sesi shqiptarët iu kundërvunë me imazhin nacionalist të Authoctonus dhe flamurin kosovar, kurse Kurti dhe Vuçiq të ndarë dhe gati në gjendje lufte mes tyre, paçka se prej ditësh po mëtohet për një udhë në dialog dhe presion të vendeve kryesore të BE-së dhe SHBA-së.

Dhe, kështu ndodhi që Rama në bashkëbisedimin “Zgjerimi i horizonteve të Evropës”, ku ishin të pranishëm Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, theksoi se megjithatë, për Shqipërinë, BE-në mbetet destinacioni i vetëm, shtoi se imazhi i Unionit në Ballkanin Perëndimor ka rënë. Ashtu, si në të njëjtin aktivitet, Rama do të shprehej se: “I padrejtë dhe neurotik” për procesin e integrimit në BE, nëpër të cilin po kalojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Berisha në rolin e tij të së kundërshtuarit për gjithçka e ka akuzuar ndërkohë Ramën sepse e vret protagonizmi i tij i shtuar, ndoshta se vetë dikur nuk mundi ta bënte dot këtë.

Rama nuk mbaroi këtu dhe në të njëjtin aktivitet u mor edhe me modalitetet e integrimit të BE-së: “Për fat të mirë, ne nuk i përkasim klubit të madh të vendeve të Ballkanit Perëndimor që po përballen me këtë rënie të imazhit të BE. Ne i jemi besnikë perandorive dhe çfarëdo të ndodhë do jemi aty. Të flasësh për komunitetin politik evropian, mendoj se është diçka e mirë, ide mjaft franceze. A do të funksionojë, a do të na ofrojë një platformë që ne evropianët të jemi të gjithë bashkë? Ne jemi në zemër të Evropës, nuk do të shkojmë askund. Njerëzit në Bruksel duhet të kuptojnë se jemi në një rajon, ku BE-ja po pëson rënie dhe Putin po shihet më shumë si hero, por jo në Shqipëri. Ne e duam BE-në 99% e duam SHBA-në 100%. Duhet ta ruajmë këtë”. Me shtrirjen e zakonshme të lirisë së shprehjes, Kryeministri shqiptar i kërkoi BE-së të japë më shumë fonde për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Po larg Davos-it, Kryeministrit shqiptar i bie të mendojë për rritjen e vërtetë ekonomike, por edhe arsyet që shpesh parashtrojnë specialistët se: rritja ekonomike nuk do të thotë se ndikon në rritjen e mirëqenies së publikut. Apo edhe se: bumi i ndërtimeve në vend një ditë do të reshtë dhe nuk është habi edhe pjesa imobilare, tejet e fryrë, që shpesh nuk parasheh zhvillimin real në vend. Informaliteti do shfaqë “sfidat” e veta. Kjo do të thotë që qeveria duhet të mendojë për një Amnisti Fiskale të pranueshme dhe teknikisht të arsyetuar, duke zgjidhur dhe pasojat e tjera; si edhe reagimin për Pasaportat e Arta, që në një farë mënyre nuk janë para që ndihmojnë realisht në një ecje të natyrshme ekonomike. Për të mos thënë se këto kanë dhe do përcjellin ende pasiguri, që publiku e përcjell me ikje dhe abstenime qytetare.

Por Rama, ashtu si zyrtarët e tjerë të Ballkanit, nuk ishin në gjendje në qasjen e përbotshme që ofron WEF të parashtronin idetë e tyre, sesi mund ta frenojnë shpopullimin dhe si t’ua përplasnin deri diku vendeve të fuqishme, që po ua thajnë trurin, që mezi përgatiten në vendet tona të varfra. Ashtu si Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut nuk arritën të ballafaqonin dhe problemet e Ngrohjes Globale, që zyrtarët ende nuk po sensibilizohen në nivelin e duhur. Flitet për pasojat nga zjarret e frikshme në verë, erozionin që nuk di të ndalet në bregdet dhe ndryshimet klimatike, që po ndikojnë në bujqësi e në të ardhmen do jenë probleme jetike të dorës së parë.

* * * Dhe, vërtetë: Kurtin kur mbërriti në Kosovë e priti pabesia e natyrës me përmbytjet, kurse Ramën përballja e vështirë me zonat nën ujë, të përvitshme me veriun dhe qendrat urbane atje; ashtu si Vuçiq me problematika jo më të vogla. Anipse, inati i shqiptarëve dhe bjerradita e liderëve të saj në alpet e Zvicrës “e kaloi” sfidën e natyrës, ashtu si Davos-2023 u dha një mundësi tjetër të pamundurve të gjithë botës, të kuptojnë se do mbeten njësoj të varfër. Si gjithnjë ata që mëtojnë të ndryshojnë botën nuk ftohen. Kurse, politikanët dhe drejtuesit e biznesit llastohen duke na treguar se janë ata primatët, paçka se ndryshimi vjen zakonisht nga njerëzit që nuk duken. Bash, ata, që kudo në botë dhe sidomos në Ballkan e në Shqipërinë tonë janë pa zë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?