Ish-trajneri që dërgoi kombëtaren shqiptare për herë të parë në Europian, Gianni De Biasi ka folur për Koha në Kosovë, duke thënë se kuqezinjtë do jenë surpriza e madhe e finaleve të "Gjermani 2024".
Paçka se tanët u shortuan në "grupin e ferrit" me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, për italianin që ka një tjetër teori, do ndikojë edhe lodhja. Me ekipin tonë që lojtarët i ka të angazhuar vetëm në kampionate, De Biasi thotë se ekipet e tjera do i kenë lojtarët të lodhur në verë dhe kjo do bëjë që tanët të jenë surprizë.
"Mendoj se shorti është shumë i vështirë dhe grupi është shumë i fortë për Shqipërinë. Shqipëria ka ekip cilësor por mendoj se është e pamundur të krahasohet me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë.
Megjithatë në kohën kur mbahet Evropiani, në qershor dhe korrik të vitit të ardhshëm, ndoshta Shqipëria mund të jetë më e freskët se ekipet e tjetra për shkak se vetëm Kristijan Asllani ka gjasa të luajë gjatë në Ligën e Kampionëve me skuadrën e Interit.
Të tjerat përfaqësuese kanë më shumë lojtarë, siç është Spanja që në radhët e veta ka shumë futbollistë të Barcelonës dhe Realit të cilët do të kenë ngarkesa dhe do të shpenzojnë shumë energji deri në fund të edicionit.
Nuk është aspak grup i lehtë për Shqipërinë, por duke pasur parasysh lodhjen dhe ngarkesat e lojtarëve të përfaqësueseve tjera me klubet e tyre, mendoj dhe shpresoj që Shqipëria do te jetë befasia e madhe e këtij grupi", tha De Biasi.