Këtë të shtunë në 21:00 në Dortmund luhet Itali - Shqipëri, ndeshja e Grupit B për Euro 2024. Në prag të këtij dueli ka folur edhe Gianni De Biasi, ish-trajneri i Kombëtares që çoi Shqipërinë për herë të parë në Evropian, në atë të Francës në vitin 2016.
"Në 2016-ën isha shumë pranë kombëtares së Italisë. Sapo e kisha çuar Shqipërinë në Kampionatin Europian, ishte goxha arritje. Megjithatë ata preferuan Gian Piero Ventura-n. Do të kishte qenë një përfundim i shkëlqyer i karrierës sime. Është turp”, tha fillimisht ai.
Më pas i pyetur për deklaratat e trajnerit aktual të Italisë, Luciano Spalletti-t që foli për “gjigantë e heronj”, italiani theksoi se nuk duhet të harrojnë që gjatë gjithë historisë kanë fituar katër herë Kupën e Botës dhe dy herë Kampionatin Europian.
“Ai bëri mirë. Kushdo që vesh fanellën e Italisë duhet të kujtojë se kush e ka bërë para tij. Ne jemi ata që kemi fituar katër Kupa Bote, dy Kampionate Europiane, ne jemi kampionët në fuqi të këtij kompeticioni”, tha ndër të tjera De Biasi.