Kevin De Bruyne ka nisur aventurën e tij me Napolin dhe pas pak ditësh stërvitje, belgu ka dhënë intervistën e parë si lojtar i kaltër. Debutimi i tij ka ardhur në miqësoren ndaj Arezzos (humbje 2-0), ku luajti 45 minuta, ndërsa për mediat italiane ish-i i Manchester City ka ndarë emocionet e para dhe ka krahasuar dy trajnerët e rëndësishëm të karrierës së tij; Pep Guardiolën dhe Antonio Conten.
“Jam mirë, ndonëse kam vetëm 10 ditë që jam këtu,” tha De Bruyne për Sky Sport Italia. “Po punojmë shumë dhe niveli është i lartë. Dua ta njoh më mirë skuadrën, shokët e rinj dhe trajnerin. Këtë do ta bëj në javët në vijim.”
Kalimi në Serie A për De Bruyne shënon një kthesë të rëndësishme pas një dekade të artë në Angli. Belgut i është dashur të përballet menjëherë me pritshmëritë e larta që ka klubi dhe tifozët napoletanë.
“Presioni është pjesë e futbollit, sidomos kur ke pas vetes tifozë si ata të Napolit. Ata të motivojnë për të dhënë gjithmonë më shumë. Në këtë nivel, secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta dhe të punojë fort për të qenë gati për sezonin”, u shpreh ai.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe dallimeve taktike mes dy trajnerëve të njohur që e kanë drejtuar.
“Guardiola ka një stil më të hapur, më sulmues, ndërsa Conte është më i kujdesshëm në aspektin mbrojtës. Por është herët për të nxjerrë përfundime, kam punuar me Conten vetëm 10 ditë, ndërsa me Pep kam kaluar nëntë vite. Do më duhet kohë për të kuptuar plotësisht qasjen e re”, tregoi fantazisti.
Për humbjen ndaj Arezzos, De Bruyne nuk shfaqi shqetësim. “Rezultatet në këto faza nuk janë më të rëndësishmet. Ajo që dua tani është ta njoh më mirë ekipin dhe mënyrën e lojës. Sigurisht, do të ishte mirë të kishim fituar, por e rëndësishme është të përmirësohemi”, tha De Bruyne.
Pritet që belgu të jetë një element kyç në projektin e ri ambicioz të klubit napoletan, kampion në fuqi të Serie A.
Komente
