Futbollisti i Holandës, Frenkie De Jong u ankua para fillimit të Ligës së Kombeve në lidhje me orarin e ngjeshur, duke dalë kundër këtij formati.
Në një intervistë për De Telegraaf, ylli holandez ka thënë Liga e Kombeve po bëhet në mënyrë që UEFA të mund të fitoj më shumë para.
I pyetur për këtë ankesë, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, nuk ka ngurruar t’i përgjigjet De Jongut.
Ceferin mohoi pretendimin dhe akuzat se UEFA po kërkon “më shumë para” duke ngarkuar kalendarin. “Para se të flisni për këtë, duhet të informoheni. Paratë shkojnë drejtpërdrejt në shoqatat për zhvillimin e futbollit. Kjo nuk shkon për UEFA dhe jo për mua personalisht”.
“Unë shpesh përpiqem ta shpjegoj, por shumë, përfshirë De Jong, nuk dëgjojnë mirë. UEFA kthen 97 për qind të të ardhurave të saj në vetë futbollin. Kjo është arsyeja pse ka edhe lojtarë të rinj dhe të talentuar në Holandë. Ne investojmë në federatat kombëtare, përndryshe asnjë lojtar nuk do të shkonte në klubet e mëdha”, ka thënë Ceferin.
Ceferin foli edhe për edicionet e ardhshme të Ligës së Kombeve, ku ka mundësi që ndeshja për vendin e tretë dhe të katërt të mos luhet më në të ardhmen.