Leganes (Spanjë), Sporting Lisbonë, Lazio dhe më pas Ascoli (Itali), këto janë skuadrat që Dean Liço provoi të formohej në Evropë, por veten e gjeti në vendlindje. I lindur në Korçë më 8 shkurt 2000, djaloshi bardhekuq më shpejt goditi topin se nisi të ecte, kjo për shkak se i ati, Gentiani ka qenë ish-kapiten i korçarëve dhe prej vitesh pjesë e stafit teknik të ekipit të parë në Korçë.
I hedhur në shtat dhe me dëshirën për t'u bërë më i mirë se mësuesi, Liço me topin në këmbë nuk luante vetëm në fushë, por edhe në kalldrëmet e gurta të Korçës.
Me rritjen, u rritën edhe ëndrrat dhe djaloshi u bashkua me Akademinë e Skënderbeut, ku në verën e 2015 filloi të bindte në sy si një mesfushor i së ardhmes.
Nga moshat U-15 ai kaloi brenda vitit te U-17 e ekipit, paçka se ishte më i vogël në moshë. Viti 2017 do shënonte hapin e madh për të. Leganes në Spanjë, që asokohe nisi të bënte paraqitje të mira në La Liga e afroi të riun në ekipin B për ta formësuar me ekipin e madh.
Një vit e gjysmë në Madrid ishin një shkollë e mirë rritjeje, me korçarin që vendosi të zgjidhte Lisbonën për të ardhmen, kjo si pjesë e Sportingut ku qëndroi për gjashtë muaj.
Kthimi te Leganes e gjeti në moshën 19-vjeçare dhe klubi madrilen nuk ishte më i pari, duke bërë që Liço për gjashtë muaj të kalonte ditë jo të mira për të ardhmen.
Duhej shkurti i 2020 që Liço të bashkohej me të rinjtë e Lazios dhe të edukohej me futbollin në Itali, ku karakteristikat e lojës e bënin më të lehtë gjetjen e një ekipi. Pak muaj në kryeqytet bënë që 20-vjeçari të siguronte një kontratë me Ascolin në Serie B, ku më të shumtën e kohës e kaloi në stol edhe për shkak të moshës.
Muajt kalonin dhe Liço bëri hapin e madh duke kaluar te Partizani në Superligë, aty ku paçka se e pati jo të lehtë përshtatjen ra në sy për cilësitë teknike. Një vit si "Dem" formësuan te i riu pjekurinë e duhur për rolin e liderit, gjë që po e tregon te Skënderbeu.
Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë, Liço vendosi t'i bashkohej korçarëve në një rikthim pas pesë vitesh. U largua si një fëmijë dhe këtë sezon është duke treguar se mund të bëjë liderin edhe me shiritin e kapitenit në krah.
Nga 29 javë të luajtura këtë sezon në Superligë, Liço ia ka dalë që të jetë pjesë e 27 ndeshjeve duke shënuar edhe katër gola dhe dhënë katër pasime finale për të tijtë, me bardhekuqtë që janë në vendin e katërt në tabelë dhe kërkojnë që me forcën e punës të jenë në këtë pozitë, që i çon në "Final 4" ku do luftojnë për titullin kampion.
Me 2.482 minuta në fushë, Liço i këtij sezoni është ai lojtar që ka marrë pak nga Leganes, pak nga Sportingu, diçka nga Lazio e nga Ascoli, për të formuar lojtarin që Gvozdenovic i beson mesin e fushës.
Elegant në mendime dhe veprime me topin, 24-vjeçari duket se po ndjek gjurmët e të atit që në Korçë është një 'emblemë' e sportit. Me vitet para, Liço edhe njëherë tregoi se yjet mund të shkëlqejnë në vendlindje, pa e kërkuar suksesin në dhe të huaj.