Përplasje në distancë në ‘Studio Live’ dhe debat i fortë mes themeluesit të ‘Djathtas 1912’ Edvin Kulluri dhe gazetarit Poli Hoxha në lidhje me mesazhin ‘kërcënues’ nga drejtuesi i Koalicionit Euroatlantik të Bashës, për çështjen e tërheqjes nga rekursi.
Teksa gazetari e cilësoi si një shantazh dhe kërcënim që partia e Alibeajt i bënte asaj të Bashës meqë nuk u arrit koalicioni zgjedhor, Kulluri e quajti gënjeshtar, duke i kërkuar publikimin e plotë të mesazhit që Hoxha pretendoi se ia kishin dërguar nga “Djathtas 1912”.
Pasi nuk munguan edhe etiketimet dhe akuzat për provokim, dy të ftuarit u ballafaquan për çështjen e debatit të fundit në lidhje me tërheqjen nga rekursi për vulën e PD-së të Rezart Kthupit dhe Enkelejd Alibeajt në Gjykatën e Lartë, duke e lënë Bashën të vetëm. Madje gazetari Hoxha hodhi dyshime se ky mund të ishte një shërbim politik apo ‘shkelje syri’ që Alibeaj i bënte Berishës.
“Kur marrëveshja mes palëve ra, Kthupi kërcënoi Bashën me tërheqjen nga rekursi në Gjykatën e Lartë. Më ka ardhur me mesazh nga ju, kërcënimi i Bashës. Nuk është njoftim, është hapur fare, është shantazh, sepse ka rrugë se si bëhet njoftimi. Po ka të drejtë të tërhiqet, por jo kështu. Mesazhi është nxjerrë i plotë”, tha gazetari në studion e Report Tv.
Por Kulluri e akuzoi për mashtrim:
“Mos gënje në studio. Behu serioz, lëri këto me dylekësha. Bëhu burrë, se je mbi 50 vjeç. Kërcënimi ka ardhur nga krahu i Bashës, ai i donte të gjitha për vete. Është Endri Hasa që ka kërcënuar, ne kemi bërë vetëm njoftim. Nuk është as mllef dhe as presion ndaj zotit Basha, thjesht fakti se tani jemi në një parti tjetër dhe s’ka më kuptim të luftosh për partinë tjetër. E vetmja fjalë ka qenë ajo “kujdes pasojat” që vjen nga zoti Hasa dhe jo nga ne. Nuk është kërcënim, dakord, është për të qeshur. Nxirre të plotë mesazhin. Mesazhi ka qenë “Tërhiqeni rekursin, por matini mirë pasojat pastaj!”.
Hoxha e vijoi replikën e tij, duke mohuar që të kishte gënjyer në shkrimin e publikuar prej tij për çështjen në fjalë, teksa e quajti jo kërcënim fizik atë të ‘Djathtas 1912’, por politik.
“Unë s’e kam për natyrë, ai ka qëllim provokimin (Kulluri). Kjo që ka bërë ‘Djathtas 1912’ me rekursin është shërbim politik ndaj Berishës. Edhe Mediu e tha se ka bërë negociata me ta, ka qenë prezent, në ato me ‘Djathtas 1912’. Unë mendoj se nuk bëhet fjalë për kërcënim fizik, po flasim për shantazh dhe kërcënim politik”, tha Hoxha.
Lajmi kryesor:
Kulluri: PD pronë e Berishës, Basha le të bëjë luftë imagjinare për vulën! Hoxha: Koalicion qesharak e hipokrit, vagonët e trenit të Saliut, me ‘dysheme të çara’
A.Q/ReportTv.al