‘Mos ia jep më fjalën, po na flet me cinizëm’, plas 'sherri' tek 'Shëndetësia' mes demokratëve dhe deputetit socialist pse u përmend 21 Janari dhe Gërdeci (VIDEO)

10 Dhjetor, 14:14| Përditesimi: 10 Dhjetor, 18:48

  • Share

TIRANË - Deputetët e mazhorancës kanë rrëzuar propozimin e Partisë Demokratike për përcaktimin e minimumit jetik në 20 mijë lekë të reja. Të majtët e cilësuan këtë propozim si një show politik dhe theksuan mbështetjen e qeverisë për kategoritë në nevojë.

 “Propozimet e ardhura nga qeveria që nga viti 2013, në 11 vite qeverisje kanë qenë rritje e pagës minimale, pagesës së papunësisë, prezantimi i pensionit social, trefishimi i pagesën së ndihmës ekonomike etj.”

Por nismëtarja e këtij propozimi të demokratëve Albana Vokshi akuzoi socialistët për indiferencë ndaj projektligjit.

"520 ditë e keni shkelur rregulloren duke e mbajtur në sirtar këtë propozim duke shkelur të drejtat e njeriut në mënyrë flagrante pra është shkelur procedura dhe kushtetuta, kush e mban përgjegjësinë për këtë", tha Vokshi. 

Rrëzimi i këtij propozimi u shoqërua me debate e fyerje mes palëve, sidomos mes mes Ilir Metaj, Zheni Gjergjit dhe Albana Vokshi. Metaj, në fjalën e tij, kritikoi opozitën për hipokrizinë e kërkesës për minimumin jetik, duke theksuar se ata ishin të njëjtit që kur ishin në pushtet kishin krijuar një realitet të varfër dhe me pabarazi sociale. Ai i akuzoi për përdorimin e shqiptarëve si "kavje laboratori" dhe për pasojat tragjike të piramidave financiare, që sipas tij, kanë shkaktuar katastrofa si ajo e Gërdecit dhe 21 janari.

Reagimi i kryetares Zheni Gjergji ishte i menjëhershëm, duke ndërprerë Metaj-n dhe duke e akuzuar për cinizëm. Pas një ndërprerjeje të tjera, ndërhynë deputetët e tjerë, Klodiana Spahiu dhe Albana Vokshi, që kërkuan që fjalën t’ia jepej Metaj, ndërsa situata shkoi deri në ndërprerjen e seancës për pesë minuta, për të qetësuar tensionet.

Pjesë nga debati:

Ilir Metaj: Që ju kolegë opozitarë, të flisni për minimumin jetik do duhej të kishit minimumin e integritetit e dinjitetit, të atyre që lanë pas një trashëgimi qeverisëse, ku bënë maksimumin për të siguruar minimum jetik dinjitoz, dhe jo maksimumin për të mbjellë kaos e varfëri në çdo cep të Shqipërisë.

Ju që sot kërkoni minimum jetik jeni të njëjtët që kur qeverisnit ndërtuat një realitet me minimum standardesh, minimum mundësish dhe maksimum të pabarazisë sociale. Ju kërkoni të flisni për minimumun jetik, thjesht si një kauz politike, tjetër rast për të treguar qeverinë me gisht. Ju nuk kërkoni minimumin jetik sepse u dhemb për hallet e njerëzve, apo dinjitetin njerëzor. Ju e keni treguar me fakte, sa vlen për ju dinjiteti i shqiptarëve.

E bëtë kur i përdorët si kavje laboratori e u ofruat për model ekonomik piramidat financiare, që pastaj njësoj si “black hole” zhdukën jo vetëm ekonominë dhe dinjitetin, por edhe mbi 2000 jetë njerëzish. Për ju dinjiteti i shqiptarëve ka vlerë edhe sa një plumb, njëri nga ata që morën katër jetë njerëzish të pafajshëm në 21 janar. Ose sa një fuçi baroti nga ato të Gërdecit që…

Zheni Gjergji: Të ndërpres fjalën, mos fol me cinizëm…

Ilir Metaj: Kryetare mos më ndëpri të lutem…

Zheni Gjergji: Të ndërpres patjetër se nuk mund të përdorësh cinizëm.

Klodiana Spahiu: Kryetare lereni të thotë opinionin e tij, ne nuk u ndërpremë kur folët ju…

Zheni Gjergji: Jo, jo, ai nuk flet…

Ilir Metaj: Kryetare mos më me këto ndërprerjet e bezdishme pa kuptim, si ato mushkonjat gjatë natës. Mushkonjat të paktën kanë vlerë për ekosistemin, ti nuk ke asnjë vlerë këtu..

Albana Vokshi: Do ta bëj postulat këtë të mushkonjave, ça ishte kjo na doli mushkonja me vlerë…

Ilir Metaj: Ti duhet të bësh postulat jo vetëm këtë, po çdo fjalë që them unë. Do ngresh nivelin, nëse do i kuptosh sadopak pas analizës…

Zheni Gjergji fik përsëri mikrofonin. Ilir Metaj kërkon fjalën me insistim.

Zheni Gjergji: Ti nuk e merr më fjalën…

Albana Vokshi: Mos ja jep më jo…

Zheni Gjergji: Ndërpresim komisionin, 5 minuta pushim…

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?