Politikë

Debat në ‘Studio LIVE’, Merkoçi: SPAK s'merret me hetime anonime, nivel prokurorie qyteti! Demalia: Asnjë fajtor për Gërdecin! Kur do bëhet drejtësi, kur të vdesë Berisha?

27 Dhjetor, 17:55| Përditesimi: 27 Dhjetor, 19:23

  • Share

Situata më e fundit politike dhe veçanërisht e drejtësisë, ka qenë tema e debatit ‘të nxehtë’ në Studio LIVE të gazetarit Arbër Hitaj, në Report TV.

Të ftuar ishin analisti Ilir Demaliaj dhe juristi Fatmir Merkoçi, mes të cilëve nuk munguan edhe fyerjet në distancë në lidhje me mendimet që ndanin, por edhe të kaluarën apo filozofinë e tyre për tematikat.

Merkoçi shprehu mendimin se duhet ndryshuar sistemi fillimisht pastaj të bëhet reforma, ndaj e konsideroi këtë reformë të drejtësisë jo të duhurën dhe të plotë.

Ai vlerësoi se SPAK nuk e kaloi nivelin e “prokurorisë së qytetit”, teksa theksoi se SPAK nuk duhet të shprehet se “po bën hetime me denoncime të personave anonimë”, si në rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Demaliaj nga ana tjetër vlerësoi arritjet e SPAK dhe rolin e BE dhe SHBA në mbështetjen e dhënë, por ai tha se gjendja e lidhjes së krimit me politikën është shumë e thellë dhe SPAK duhet të jetë më i fortë.

Demaliaj nxori në pah si precedent rastin e Gërdecit, ku u shpreh se “fajtorët janë të lirë” dhe nuk ka asnjë të dënuar apo përgjegjës për ngjarjen, edhe pse kanë kaluar vite, edhe pse emrat e lidhur janë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe djalit të tij, Shkëlzen Berisha.

“Kur do bëjë drejtësi drejtësia me Gërdecin, apo kur të vdesi Berisha dhe të iki djali i tij”, u shpreh Demalia mes të tjerave.

Juristi Merkoçi për çështjen e SPAK dhe reformës këmbënguli në skepticizmin dhe kundërshtinë e tij që nga zanafilla e reformës.

“Paraqiten në SPAK zyrtarë të lartë, Veliaj, Këlliçi etj. Vite më parë kam qenë personi i vetëm për ta kundërshtuar SPAK. Një nga arsyet ka qenë se u bë reformë e pabazuar në ligj, që do sillte institucion mbi institucion. Një nga propozimet e mia ishte që asnjë gjyqtar apo prokuror të mos jetë pjesë e kësaj reforme, sepse të gjithë njerëzit ishin të përfshirë. Reforma kishte nevojë, por jo e tillë. Duhej ndryshuar sistemi. Këta duhet të deklaronin rënien e sistemit dhe pastaj të bëhej reforma. Kjo reform polli Kushtetutën, institucion mbi institucionin. Problemet psh. mes SPAK dhe GJKKO për kthime çështjesh. SPAK s’e kalon dot prokurorinë e një qyteti. Edhe kur nuk ishte SPAK kanë qenë në prokurori zyrtarë të tjerë. Lajm nuk është kur Veliaj shkon në SPAK, por kur gjykata merr çështjen. Nuk merr dhe nuk nis SPAK-u hetime nga persona anonimë. Nëse s’është i zoti të gjejë personin që bën denoncimin, si do bëjë hetimin”, u shpreh ai.

Ndërsa Demalia dha një këndvështrim tjetër, duke e lidhur me atë që e quajti një ‘pluralizëm politik demonkratik’ apo “çorbë derrash”.

“Ky është sistemi, i tregut të lirë dhe pluralizmit. A është aplikuar realisht pluralizmi politik dhe tregu i lirë? Unë them që jo, se kemi politikë bandash, e dalë nga regjimi komunist, dalë prej tij dhe ekonomi e kontrolluar prej tyre, ose oligarkët. Kemi formulë, por se kemi praktiku. Kemi një çorbë derrash, një sistem demonkratik dhe ku është lidhur kriminalisht politika shqiptare në 30 vjet dhe këtë e tregon pasurimi i tyre dhe familjarëve të tyre. Si janë pasyyruar? Njerëz me rroga shteti, të ardhur nga provinca e katundi me këpucë me baltë të shatërvani, dhe sot janë bërë multiminionerë! A mund të bëhet një njeri multimioioner pa biznes apo hapur biznese me familjarët e tyre? Unë them se ka abuzim pushteti, nuk kanë ardhur për demokraci dhe shtet, por për demonkraci dhe zhvatur shtetin nëpërmjet pushtetit. Situata tregon se politikanët tanë janë të lidhur me krimin e organizuar. Drejtësia e vonuar është e mohuar. Si ka mundësi, rasti Gërdecit, nuk mban përgjegjësi asnjë njeri! As ministri i Brendshëm as kryeministri, një katund i hedhur në erë dhe të vrarë. Afër aeroportit dhe nuk e dinte njeri se ekzistonte? Fajtorët janë të lirë!”, tha analisti në lidhjen Skype nga SHBA-të.

Dhe më tej kujtoi se një drejtësi e vonuar është e mohuar.

“Sa do vonohet drejtësia, kur të vdesi Berisha apo kur të largohet djali i Berishës? SPAKU por “së paku”, ka krijuar një tërmet realisht, por këta që kanë krijuar politikën dhe krimin kanë financa të mëdha, fuqi paraje. Por deri dje nuk mendohej se do hetoheshin apo arratiseshin kryeministra, zv/kryeministra dhe ministra. Por ata kanë vjedhur, abuzuar me pushtetin. Shqipëria vendi më i varfër, s’ka zhvillim ekonomik, infrastrukturor, njerëzit ikin, largohen. Kush e krijoi këtë gjendje? Ky mosndëshkim krimi në 30 vjet, për këtë do dhënë kredit SPAK-un. E ka krijuar Europa dhe SHBA-ja, janë dhënë 500 milionë euro. Se po të ishte për shqiptarët. Nuk ka nevojë, të shkojnë të rrethojnë Gjirin e Lalzit apo Kodrën e Diellit. Po flas për paret e dukshme, jo të padukshme. Ndaj kemi këtë klasë feudësh politikë. Nuk është e lehtë për SPAK të ballafaqohet me këta. Inceneratorët janë një varr i hapur dhe duhet vepruar sa më shpejt, s’mund ta lëmë kështu”, shtoi Demalia.

Por mes tyre nuk munguan edhe debatet dhe akuzat deri individuale:

“Ndryshe nga ty s’kam interesa politike. S’ke b... me ik ti! Shko pi kafe të Hotel Dajti (qesh). Jep përgjigje se si pije kafe para 90-ës të Hotel Dajti. Unë nuk kam nevojë për degë, jam trung. Mos më bëj numra. Ku ishin ish-sigurimsat që pinin kafe te Hotel Dajti, këta do durojmë ne përsëri? Ka ardhur momenti të flitet në mënyrë të hapur në media. Shyqyr që i bihet njërit prej këtyre, se bashkë i ndajnë. Siç thotë ky “Skënderbeu” i shqiptarëve në studio që flet për komb (i drejtohet Merkoçit)!”

Merkoçi nga ana e tij iu përgjigj:

“Janë konstatime, i dimë të gjithë. Për Gërdecin është bërë një gjyq. Shqiptarët paguajnë inceneratorë të paqenë, paguajnë një rrugë 34 mln euro, këto SPAK nuk i sheh. Unë kam interesa kombëtare. Atë fjalor mos e përdor me mua, por me tjetër njeri. Unë kam qëndruar jo se s’kam pas mundësi me ik. Më 2 Korrik jam fut unë atje e jo ti (te Ambasadat në 90-ën), mos qesh... s’kishit këllqe me ndenj këtu dhe ikët! Megjithatë vazhdo, bëj llafollogji! Unë pi kafe gjithandej. Kam qenë i persekutuar që në vitin 1945, por kurrë s’e kam përmendur”.

Ora 18:15
Studio Live/ Merkoçi: Berishën e manipulojnë, nuk i hiqet ‘non grata’! Demalia: PD pjellë e komunizmit, ka falimentuar!

 

Avokati Fatmir Merkoçi, sot në Studio Live

Dy tematika të tjera të debatit të sotëm në Studio Live në REPORT TV ishin edhe strategjia e protestave dhe mosbindjes civile të PD bashkë me Opozitën, si dhe pritshmëritë që kanë në PD për heqjen e ‘non grata’ të Sali Berishës, i cili është nën akuzë për korrupsion nga SPAK edhe për aferën në dosjen “Partizani”.

Të dy të ftuarit e gazetarit Arbër Hitaj ndanë pothuajse të njëjtat mendime, ku u shprehën se as protestat nuk janë mosbindje civile e vërtetë, sepse i shërbejnë një personi dhe jo frymës së partisë, por edhe ‘non grata’ e ish-kryeministrit nuk do hiqet nga SHBA-të, pavarësisht fitores së presidentit Donald Trump.

Juristi Fatmir Merkoçi e quajti “trumbetim” dhe “manipulim” të disa personave brenda PD, me qëllim përfshirjen në listat e deputetëve të PD në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

“Kjo nuk është mosbindje civile. Të duhet një kauzë, dy tre pika gjithpërfshirëse, jo individuale të një partie apo në interes të një personi. Protesta është gjithpërfshirëse. Kam rezerva gjithmonë, nëse PD nuk kthehet te e djathta konservatore, nuk ka mundësi. Duhet të kthehet te vlerat, këta duhet ta realizojnë. Partia më e madhe të vazhdojë akoma me këtë rrugë. Partia duhet të jetë mbi individin, jo të thotë kemi këtë në burg”, tha ai në lidhje me protestat e PD.

Kurse për Berishën u shpreh:

“Berisha ka një të keqe se manipulohet kollaj. Ndaj duheshin fraksione brenda partisë. I trumbetojnë ca njerëz brenda partisë që duan të jenë në listat për deputetë, që thonë se do hiqet non grata. Kanë interesa personale, ndaj e thonë. Nëse s’ka fraksione, nuk ka as parti. Nëse duan të vazhdojnë kështu, le të vazhdojnë. Ky është shansi i fundit për PD. S’ka shans t’i hiqet non grata Berishës nga SHBA”.

Analisti Demalia ndau mendim tjetër për PD, duke thënë se Sali Berishën e kanë sjellë në parti dhe nuk shkoi ai, teksa e cilësoi si PD ashtu edhe PS si “pjella” të Partisë së Punës dhe regjimit komunist, me ish-sigurimsa dhe spiunë.

“Berisha nuk ka ardhur, e kanë sjellë. Këto parti e politikë janë kopjo të njëra-tjetrës. Nuk kanë moral, në fillim patën moral. Parti që doli nga Sigurimi i shtetit, spiunët dhe Komiteti Qendror. Këto janë faktet, ndaj nuk hapen dosjet e Sigurimit. Ca janë bërë publik, i kam thënë 1 mijë herë, i dimë kush ishin, te arti, kinostudio etj. Këta lëvizin nga këtu aty, shkojnë te studentët si të dërguar, pastaj me aleanca. Nuk e rrëzuan këta sistemin, sistemi ra në domino. Plani i Reganit. Efekti domino”, tha ai.

Dhe në fund u shpreh se PD tashmë “është e falimentuar”:

“Partia Demokratike është e falimentuar! Jo ekonomikisht, se Berisha është multimilioner, pavarësisht se thotë se i ka vajza paratë. Në Shqipëri drejton kryetari dhe s’ka meritokraci. Ndaj unë s’u afrohem kurrë atyre partive politike të dala nga partia e punës”.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?