Politikë

Debat në ‘Studio Live', Sulo: Në listat e mbyllura të PS deputetë të rinj, Rama do heqë të vjetrit! Qefalia: S’do ketë vetëm të rinj, do fitojmë zgjedhjet

7 Shkurt, 18:44| Përditesimi: 7 Shkurt, 22:05

  • Share

Zgjedhjet po afrojnë, teksa sondazhet në Report TV kanë nxjerrë rezultatet e para të garës që përfundon më 11 Maj.

A do e fitojë dot PS mandatin e katërt apo do ketë rotacion. Listat e deputetëve në dy partitë e mëdha, listat e mbyllura, rreziku i votës së Diasporës dhe partitë e reja.

Këto tematika u diskutuan sot (7 Shkurt) në panelin e “Studio Live” të gazetarit Arbër Hitaj, ku të ftuar ishin deputeti socialist Xhemal Qefalia dhe analisti Arion Sulo.

Gazetari Sulo shprehu mendimin se listat e mbyllura janë në dorë të Ramës dhe ai do largojë ‘xhaketat e vjetra’ të PS apo ata që nuk i pëlqejnë, duke futur emra të rinj.

“Nuk i zgjedh kryeministri dhe kryetari i PS kandidatët për deputetë, por ka struktura dhe proces të gjerë, deri te edhe portali që partia ka hapur me “Deputeti që duam”. Ka kohë akoma për këtë proces, janë në diskutim dhe analizë. Qëllim është fitimi i mandatit të katërt dhe çuarja e vendit përpara drejt integrimit europian”, e kundërshtoi deputeti socialist.

Analisti vijoi diskursin e tij për këtë çështje, duke kujtuar edhe ndryshimet kushtetuese.

“Problemi nis më 2008 ku kryetari i partisë me ndryshimet kushtetuese, mori fuqi të jashtëzakonshme. Ne nuk dimë kush bëhet ministër dhe deputet. Ne nuk njohim aktualisht as ministrat, të Financave dhe i Brendshëm. Të shohësh se si katapultohen ministrat”, tha ai.

Por Qefalia u përgjigj:

“Deri dje akuzoheshim se bënim ministra politikë, kurse sot se janë të panjohur. Roli i PS dihet ashtu edhe roli im në parti. Kjo është aparencë që krijoni ju gazetarët për imazh”.

Sulo ritheksoi se listat do jenë selektive dhe në dorë të kryeministrit Edi Rama.

“Listat selektive në dorën e Ramës. Ai do fusë në listat e mbyllura emra të rinj, deputetë të rinj, e ka thënë vetë. Ai po u fshin karrierën me një të rënë të lapsit deputetëve të vjetër. Rama do na surprizojë më shumë për keq. E ka bërë Berisha këtë në vitin 1996, qëllimisht, shumicën e deputetëve të vjetër të partisë i çoi në bastione të vështira të PS. Futi në lista emra artistësh, intelektualësh”, u shpreh Sulo.

Por për deputetin Qefalia deputetët e vjetër nuk rrezikohen dhe listat nuk do jenë vetëm me të rinj. Sipas tij përballja e më të vjetërve me elektoratin bëhet për të maksimalizuar votën.

“Deputetët e vjetër kanë karrierë dhe eksperiencë dhe ata praktikisht duhet të jenë përballë për mbledhjen e votave. Unë personalisht do doja të ishte mazhoritar sistemi, por nuk e di. Vota e elektoratit është i rëndësishëm, ke më shumë autoritet kur mbledh votat në bazë, përballë me elektoratin. Do ketë gërshetim, nuk do jenë të tërë deputetë të rinj në listat e mbyllura, do ketë edhe deputetë të vjetër. PS do fitojë mandatin e katërt”, argumentoi ai.

Ora 19:06
Sulo: Administrata po përfshihet te vota e emigrantëve, partitë e reja sherr mes tyre! Qefalia: S’kemi hequr njeri nga puna, në lista edhe deputetë të Diasporës

Një debat i fortë në ‘Studio Live” ka shkaktuar edhe deklarata e analistit Arion Sulo, se administrata detyrohet të përfshihet në politikën qeveritare, që nga rrjetet sociale dhe deri te formularët për votën e Diasporës, pasi në të kundërt largohen nga puna.

Deputeti socialist Xhemal Qefalia e kundërshtoi, duke mohuar se janë hequr njerëz nga puna për politikë, teksa theksoi se vota e Diasporës është e rëndësishme, pasi do ketë edhe deputetë të saj në listat e PS.

Për partitë e reja të ftuarit ndanë mendimet se janë pa peshë, të përçara dhe që i shërbejnë qëllimeve të caktuara.

“Në Shqipëri mungon vota kundër. Po intimidohet administrata, nëse nuk bëjnë ‘like’ një postimi apo deklarate qeveritare largohen nga puna. Po angazhohet administrata për votat e diasporës, është shpërndarë formulari i regjistrimit për administratën që t’i shpërndahet edhe patronazhistëve. Po përhapen edhe në celularë, janë të planifikuara dhe detajuara me adresë, emër personi, vend etj.”, tha Sulo.

Kurse për faktin nëse do ndikojë apo jo, ai ndau mendimin se me strukturat që ka ngritur PS për menaxhimin e saj, do e ndihmojë të kapë deri në 85 deputetë më 11 Maj.

“Vota e diasporës do parë, unë mendoj se mund të shkojë deri te 200 mijë. Ka problematika me çështjen e dokumentacionit, partitë janë në debate. Unë mendoj se vota e Diasporës me ndihmën e patronazhistëve do e çojë PS-në te 85 deputetë”, u shpreh analisti mes të tjerash në Report TV.

Qefalia e kundërshtoi për temën e përdorimit politik të administratës.

“Askush nuk është hequr nga puna për politikë. Kjo është hera e parë dhe duhet parë se si do shkojë vota e Diasporës. Ne kemi krijuar akses dhe mundësi për emigrantët, si për pasaportat, ashtu edhe për kartat e identitetit. Të bëhen pjesë aktive në votime më 11 Maj, që të bëhen pjesë edhe e ndryshimeve dhe mundësive që do kenë. Në listat e partisë për deputetë do ketë edhe nga diaspora. Kjo votë do jetë edhe për Diasporën, për të ardhmën, për ta çuar Shqipërinë drejt BE-së”, tha ai.

Kurse për përplasjet e fundit me opozitën për çështjen e dokumenteve të votimit, deputeti tha se janë plotësuar të gjitha kërkesat e PD me përjashtim të asaj që nuk lejon ligji, votimi me dokument të huaj. Kurse partitë e reja i cilësoi derivate të opozitës.

“PS ka marrë në konsideratë propozimet e PD-së për këtë çështje, përveç pikës që nuk të lejon as ligji, që të votohet me dokument të huaj, sepse ndryshe i bie të votojë edhe në Gjermani dhe në Shqipëri. Kemi marrë parasysh për çështjen e postës dhe pagesën, po ashtu edhe monitorimi i votimit dhe numërimit, ku të ketë përfaqësues politikë. Për partitë e reja mendoj se nuk do jenë produktivë. Ato janë derivate dhe devijacione të opozitës. PS e ka votën e saj”, u shpre ai.

Edhe Sulo mendon se partitë e reja nuk kanë shumë shanse duke parë sondazhet dhe realitetin, teksa ndodhen edhe në sherr mes tyre.

“Nuk i favorizon as ligji dhe as kodi. Janë kundër qeverisë, janë të rinj, qëllimin final nuk e kanë për të ardhur në pushtet. Por kanë qëllim që PS të ketë këtë status-kuo, PD të humbasë. Mirë të mos bashkohen me Berishën, por të bashkohen mes tyre. Por ata po zihen edhe mes tyre, për vendin e dytë dhe të tretë të opozitës”, shpjegon ai.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A është veprim i duhur nga SPAK arrestimi i Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?