Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështjet Evropiane po shqyrtohet projekt pozicioni negociues për grupkapitullin e katërt “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme” për negociatat me BE. Dy ditë më parë, presidenca polake e BE i kërkoi qeverisë shqiptare që të paraqesë pozicionin e saj negociues për këtë grupkapitull, i cili do të paraqitet në konferencën e radhës ndërqeveritare.
Deputetja e PD-së, njëkohësisht kryetare e këtij komisioni, Jorida Tabaku ishte kritike ndaj qeverisë për 11 majin, duke thënë se rruga drejt BE-së nuk mund të jetë fasadë që injoron standartet demokratike.
“Po diskutojmë për grupkapitullin 4 që është shumë i rëndësishëm për mjedisin, energjinë dhe ndërlidhjen, por nuk mund të injorojmë faktin që sapo kemi dalë nga një proces zgjedhor me probleme të thella. Ky është kapitulli themelor, ai i zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit. Dhe për fat të keq, testi demokratik dështoi,” u shpreh Tabaku.
Sipas saj, s'mund të sillemi si evropianë në Bruksel dhe shqiptarë në Tiranë.
"Ne nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si shqiptarë në Tiranë. Nuk mund të firmosim kapituj në letër kur po mbyllim sytë përballë deformimit të vullnetit të qytetarëve.”, shtoi Tabaku.
Kjo solli reagimin e Mimi Kodhelit, e cila tha se këtë komision duhet të diskutojnë për çështje të tjera dhe jo të bëjnë politikë. Sipas saj, ka instanca të tjera ku mund të adresohen shqetësimet politike.
“Unë gjykoj, se me respektin për kolegët prezent që mbledhja e Komisionit të Çështjeve evropiane është mbledhje ku qeveria vjen me disa letra dhe anëtarët diskutojnë, propozojnë dhe hartojnë ndryshimet respektive që në fund garantohen. Kemi mjaftueshëm tribuna për të bërë komentet tona politike jashtë këtij komisioni, ku mund të shpalosim opinionet tona politike, që nga zgjedhjet dhe rezultati i tyre spektakolar. Për këtë më duhet të falënderoj, meqë jemi duke diskutuar politikisht, çdo qytetar të republikës që kanë votuar bindshëm forcën që drejton sot vendin. Ka një diskutim të madh që bëhet mbi kodin zgjedhor dhe mënyrën se si qytetarët e shprehin vullnetin e tyre votën demokratike.”, tha Kodheli.
Në përditësim...
Deputeti Kreshnik Çollaku, në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Evropiane, ishte kritik ndaj maxhorancës lidhur me retorikën për procesin e integrimit në BE. Çollaku tha se vlerëson përpjekjet që po bëhen në këtë drejtim, por shtoi se është e pandershme që ta trajtojnë këtë si proces të tyrin.
Çollaku tha se përtej retorikës politike dhe për zgjedhjet, duhet të pranojnë konsensusin me opozitës në integrim.
“ Ju keni përgjegjësinë por është e pandershme ta paraqesësh këtë proces tuajin, të qeverisë, projekt i Edi Ramës. Nuk do të ishte ky sukses pa votat e konsensusit të opozitës. Në rast se do të shkohet në këtë marrëdhënie konfliktuale. Sikur opozita jonë një ditë...nuk e di se çfarë do të bëjë në shtator por sikur t’i vijë një damar tjetër do ta shikoni se negociatat nuk ecin aq në vaj, nëse ngre shtizat përpjetë. Në këtë pikëpamje, ju e dini se ju votuan shqiptarët, edhe ne e dimë se çfarë ndodhi. Ca për fajet tona e ca për ustallëkun tuaj. Por ky proces i integrimit nuk mundet....duhet ta mbroni konsensualitetin e këtij procesi, sepse ju e dini se pa këtë jo 86 vota, por 106 vota në sallë, në Bruksel, dyert nuk hapen. Edhe kryeministri e ka një argument më shumë është se opozitën e vendit e ka në mbështetje të këtij procesi. Pres më ndershmëri kur flitet të paktën me integrimin, është proces që e ndajmë, nuk kanë rëndësi mandatet. Në rast se nuk ka konsensus procesi ngec, dhe ju e keni. Pastaj si na votojnë shqiptarët me trena, pa trena, është gjë tjetër. Tjetri thoshte fitore publicitare është muhabet tjetër. Por të paktën në Bruksel, ju lutem ta mbroni këtë proces konsensualisht se nuk ecën ndryshe.”, theksoi mes të tjerash Çollaku.
Komente
