Autonomia spitalore, debate te Shëndetësia, Duma: S'keni asnjë informacion për shpenzimet! Rakacolli: Kostot janë në ligjin e financimit

4 Korrik 2022, 14:14| Përditesimi: 4 Korrik 2022, 16:24

  • Share

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, miratoi në parim propozimin për projektligjin “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë” më 4 korrik 2022. Propozimi u miratua në parim me 6 vota pro e 5 kundër. Ky propozim lidhet me risitë në autonominë spitalore.

Kryetarja e këtij Komisioni, Grida Duma, debatoi me zv. ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, pasi sipas saj nuk është e vërtetë se ky ligj nuk do të sjellë autonomi, dhe se bëhet vetëm për "marketing". Duma i kërkoi zv. ministres shifra konkrete për shpenzimet, si edhe pagat e mjekëve.

"Sa do të kushtojë një operacion në publik dhe sa në privat? Sa do ti rritet mjekut rroga? Sa e ka sot dhe sa do ti bëhet? Kjo na intereson? Më jepni një pagë mjeku. Mund ta dimë, një shifër", u shpreh Duma.

Rakacolli iu përgjigj se ligji nuk mund të shkojë në detaje të tilla, e se pagesa e mjekëve do bëhet në bazë të performancës.

"Nuk do paguhet njëlloj si ai që bën 100 dhe si ai 1000 mijë operacione. Operacionet nuk kushtojnë njëlloj për dy veta. Është në varësi të analizave që do të kërkohet. Një ndërhyrje cezariane kushton 400 mijë lekë. Të gjitha paketat i keni të kostifikuara. Paketa që merren nga sistemi publik janë të kostifikuara. Është mbi 108 mijë lekë. Kostifikimi është në ligjin e financimit", u shpreh Rakacolli.

Duma, nga ana tjetër, tha se nuk mund të propozohet ligji nen për nen nëse nuk jepen shifrat dhe kostot.

"Nuk ka vend për propozim nen për nen. Ju të gjithë pushtetin ja delegoni ministres. Pas asaj nuk keni asnjë kostifikim, megjithëse thoni do ta nisni nga spitali i Fierit. Kosto nuk keni, autonomi nuk ka sepse po bëni marketing. Po me përqindje nuk e nxirrni dot. Nuk doni të bëni atë premtim që nuk e mbani dot. Sa % ulet kostoja e vizitës, operacionit? Nuk e keni as këtë kostifikim. Ka vetëm një gjë që e përcakton autonominë. Fillon dhe mbaron tek karta e pacientit", tha Duma.

Projektligji për autonominë spitalore u miratua më 29 prill nga Këshilli i Ministrave. ‘Autonomi spitalore’ është një formë e decentralizimit, që adreson delegimin gradual të të drejtave të vendimmarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, si institucione të kujdesit shëndetësor publik.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?