Sekretari Ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, në mbledhjen e KQZ-së për konfigurimin e fletës së votimit, ka shprehur shqetësimin për logon e Bindjes Demokratike, duke thënë se është e ngjashme me atë të PD-së dhe se do të krijojë konfuzion tek votuesit.
Logoja e cila përfaqëson Bindjen Demokratike përdoret prej dy vitesh, dhe pavarësisht se na ndajnë vetëm 24 ditë nga zgjedhjet parlamentarë më 25 prill, PD kërkon që logoja të ndryshojë.
Përfaqësuesi i Bindjes Demokratike, Fabian Topollaj tha se ndryshimi tashmë është bërë dhe se do të dërgohet logoja e re.
“E konsideroj të mbyllur pjesën e stilizimit të logos. Ne me kënaqësi e kemi ndryshuar logon, në kohë rekord, dhe me qëllim që fleta e votimit të miratohet, të bëhet sa më shpejt dhe të vazhdojë procesi”, tha Topollaj.
Ai shtoi së megjithëse kjo kërkesë e Partisë Demokratike është e palogjikshme pasi harku kohor është shumë i shkurtër, ndryshimi është bërë për të mos sjellë vonesë të procesit.
Sipas shpjegimit të tij bëhet fjalë për një ndryshim të vogël, ku poshtë është shtuar “Bindja Demokratike”.
Lajmi kryesor:
Debatet për fletën e votimit më 25 prill, mblidhet KQZ! Diskutohet propozimi i Celibashit dhe variantet e tjera
J.GJ./ReportTv.al